Kryeministri i Kanadasë pritet nga protestues të revoltuar gjatë fushatës

Për herë të dytë në tre ditë, udhëheqësi i Partisë Liberale, Justin Trudeau, të dielën u prit nga dhjetëra protestues të revoltuar që brohorisnin me parulla të pahijshme dhe kërcënime me vdekje gjatë fushatës së ndërprerë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndërsa ngjarja e së dielës vazhdoi në Kembrixh, në jugperëndim të Torontos, Trudeau u detyrua të anulojë një tubim zgjedhor të premten në Bolton, në veriperëndim të Torontos, për shkak të shqetësimeve të sigurisë për stafin dhe mbështetësit e tij. Për të shoqëruar autobusin e tij të fushatës drejt një zone më të sigurt, u kërkua ndihma e policisë.

Sipas sistemit kanadez të qeverisjes, i cili bazohet në modelin britanik, sapo të mbahen zgjedhjet, Trudeau duhet të referohet si udhëheqës i Partisë Liberale, jo si kryeministër.

Drejtuesit e të dy partive të tjera kryesore politike, Konservatorëve Progresivë dhe Partisë së Re Demokratike, dënuan veprimet e protestuesve.

Protestat kaotike, praktikisht të padëgjuara në politikën federale kanadeze, me sa duket u nxitën për shkak të masave ndaj koronavirusit të ri (COVID-19), për të cilat demonstruesit fajësuan kryeministrin Trudeau, si dhe njoftimin e tij se të gjithë punonjësit federalë, punonjësit e postës dhe nëpunësit e tjerë civilë do të duhej të vaksinohen, në të kundërtën mund të pushohen nga puna. Ai gjithashtu ka premtuar 1 miliard dollarë për provincat që duan të marrin pasaportën e vaksinimit.

Në Kembrixh, një protestues bëri fyerje raciste ndaj një personi me ngjyrë që ishte oficer policie në ekipin e sigurisë së kryeministrit Trudeau, njoftoi Korporata Kanadeze e Transmetimeve. Një tjetër hodhi fyerje mizogjiniste ndaj një gruaje në kampin e Trudeau.

Ngjarja e së dielës u vonua për një orë, ndërsa edhe pasi filloi zhurma vazhdoi ndërsa turma brohorisnin parulla të pahijshme dhe kërcënime me vdekje duke u rënë borive. Në një pankartë shkruhej “Liberalët shkatërruan vendin”.

Pasi anulimit të ngjarjes të së premtes në Bolton, Trudeau iu drejtua gazetarëve duke thënë se ai kurrë nuk e kishte përjetuar këtë lloj militantizmi gjatë fushatës, as kur shoqëroi babanë e tij, ish-kryeministrin Pierre Trudeau, i cili udhëhoqi liberalët në pesë fushata zgjedhore nga viti 1968-80.

“Unë mendoj se kjo është diçka për të cilën kanadezët, të gjithë ne, duhet të reflektojmë, sepse kjo nuk është ajo që jemi”, tha ai.

Por ai u zotua se protestuesit nuk do ta pengojnë fushatën e tij për veprim mbi ndryshimet klimatike dhe vaksinimet. Zgjedhjet federale, të tretat e Trudeau si kryeministër, janë caktuar për 20 shtator.

“Jo, nuk do të tërhiqem nga mesazhi që kanadezët e dinë se është rruga e drejtë përpara, dhe kjo është arsyeja pse kanadezët duhet të zgjedhin për të çuar përpara Kanadanë në këtë kohë të rëndësishme”, tha Trudeau.

Identitetet e protestuesve nuk u bënë publike. /aa