Kryeministri i Francës, Edouard Philippe jep dorëheqje

Kryeministri i Francës, Edouard Philippe ka dhënë dorëheqje pasi pritet që në ditët në vijim të bëhet riorganizimi i qeverisë, njoftoi sot Presidenca franceze, transmeton Anadolu Agency (AA).

Deklarata nuk sqaroi nëse Philippe do të zëvendësohet apo do të qëndrojë në krye të qeverisë së re.

Presidenti Emmanuel Macron po kërkon të hapë një kapitull të ri për dy vitet e mbetura të mandatit të tij që do të përqendrohet në përpjekjet për ringritjen e ekonomisë franceze të goditur thellësisht nga kriza e koronavirusit (COVID-19).

Rikonstruimi vjen disa ditë pasi në zgjedhjet lokale rezultatet më të mira i korri Partia Ekologjike- të Gjelbrit. Macron pa që partia e tij e re centriste kishte humbur në qytetet më të mëdha të Francës.

Rikonstruimi i qeverisë ishte planifikuar para zgjedheve, pasi qeveria e Macron-it u përball me pengesa dhe kritika para zgjedhjeve të së dielës dhe gjatë krizës së COVID-19.