Kryeministri Hoti viziton Manastirin e Deçanit, diskutohet rruga Deçan-Plavë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, si dhe komandantin e KFOR-it, Michele Risi, kanë vizituar Manastirin e Deçanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Para vizitës në Manastir, Hoti vizitoi Komunën e Deçanit, me autoritetet e së cilës tha se ka biseduar për ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë, punimet e së cilës u pezulluan javën e kaluar pas ngritjes si shqetësim edhe nga autoritetet serbe se “rruga kishte hyrë në zonën e monumentit”.

Kreu i Qeverisë bashkë me Risin dhe Ramosajn u prit në manastir nga Igumeni Sava Janjiq, ku tha se “po punojmë së bashku për të gjetur zgjidhjen e pranueshme nga të gjithë”.

“U dakorduam që të punojmë së bashku në javët e ardhshme për të gjetur një zgjidhje që është e pranueshme për të gjithë. Nuk po e them për të gjitha palët, sepse jemi vetëm një palë që mbrojmë vetëm interesin e qytetarëve dhe të Manastirit të Deçanit si një vend i veçantë i trashëgimisë tonë kulturore dhe trashëgimisë kulturore botërore”, tha Hoti.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, këmbënguli se rruga do të shtrohet patjetër dhe theksoi se “jemi në rrugë të mirë për zgjidhjen në të mirë të qytetarëve dhe në të mirë të manastirit”.

“Ka shumë konteste, zgjidhja është vetëm një, në të mirë të qytetarëve dhe të manastirit. Patjetër që po (do ta ndërtojmë rrugën)”, tha Ramosaj kur u pyet nga gazetarët.

Igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, e konsideroi shumë të rëndësishëm diskutimin me kryeministrin për rrugën Deçan-Plavë. Por, ndryshe nga kryeministri Hoti dhe kryetari Ramosaj, ai deklaroi se janë kundër ndërtimit të kësaj rruge, për shkak se, siç tha ai, një gjë e tillë do ta prishte qetësinë ngase “këndej do të kalonin shumë kamionë”.

“Ne e përkrahim ndërtimin e rrugëve që lidhin njerëzit dhe përkrahim idenë e zhvillimit ekonomik të komunës, por është me rëndësi që të kemi parasysh se ekziston ligji për zonat e mbrojtura speciale që nuk lejon që rrugët magjistrale të ndërtohen në zonat e mbrojtura dhe kjo është rrugë e karakterit magjistral ngase lidhet me Malin e Zi. Prandaj, këndej do të kalonin shumë kamionë dhe automjete që do të reflektonte ne vet manastirin dhe qetësinë e tij që ne dëshirojmë që të gjithë ju që vini këtu ta ndjeni”, tha Janjiq.

Punimet në ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë (R-108) që lidhin rajonin e Dukagjinit me atë të Plavës dhe Gucisë në Mal të Zi, të cilat kanë filluar nga viti 2018, ngjallën reagime nga pala serbe kur u afruan në zonën e Manastirit të Deçanit. Më 15 gusht presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, bëri të ditur se Beogradi do të kërkojë “pezullim urgjent dhe të përhershëm të punimeve të ndërtimit në zonën e mbrojtur të Manastirit të Deçanit” nga përfaqësuesit e Prishtinës dhe ndërmjetësuesit evropianë në takimin e ardhshëm në Bruksel.

Një ditë pas reagimit të presidenti serb, nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës u tha se “Hoti mbështet shqyrtimin e të gjitha mundësive ligjore dhe praktike në terren për ta kompletuar këtë rrugë që e lidh Republikën e Kosovës me Republikën e Malit të Zi”. Por më vonë, në një takim me kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, kryeministri Hoti tha se është arritur pajtim për pezullimin e ndërtimeve për këtë rrugë.

“Me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të dakorduar me të gjitha palët e përfshira në këtë çështje, u pajtuam që të pezullohen punimet në rrugën R108, e cila përshkon një pjesë të zonës së mbrojtur pranë Manastirit të Deçanit”, shkroi Hoti në rrjetet sociale.

Kuvendi i Kosovës në vitin 2008 ka miratuar një ligj për zona të veçanta të mbrojtura, i cili siguron mbrojtjen e kishave, manastireve ortodokse, dhe vendeve tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetet në Kosovë, ligj i cili Manastirin e Deçanit e përfshinë në njërën nga zonat e mbrojtura.

Ky ligj parasheh që në zonat ku janë këto objekte të mos lejohen ndërtimet apo zhvillimet industriale, si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo të linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve transite në zonat rurale, si dhe ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit.