Kryeministri Hoti shpalos detajet e marrëveshjes Kosovë-Serbi të nënshkruar në Washington

Kosovo's Prime Minister Avdullah Hoti poses for photographers prior to a meeting with European Council President Charles Michel at the Europa building in Brussels, Thursday, June 25, 2020. (Yves Herman, Pool Photo via AP)

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë me praninë e presidentit amerikan Donald Trump në Washington, shënon hap të madh drejtë normalizimit të plotë midis Prishtinës dhe Beogradit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media për mediat e Kosovës që po mbulojnë zhvillimet në Shtëpinë e Bardhë, Hoti e quajti këtë marrëveshje historike.

“Sapo e nënshkruam marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë, një marrëveshje që është një hap i madh drejt normalizimit të plotë të Kosovës dhe Serbisë të cilat do të normalizohen me njohje reciproke midis të dyja vendeve. Një marrëveshje historike në kuptimin e rëndësisë që ka si hap drejt marrëveshjes finale, e nënshkruar nga Shtëpia e Bardhë, nga e cila kanë ardhur vetëm lajme të mira për Kosovën”, tha Hoti.

Hoti theksoi se janë dy pika kryesore të marrëveshjes të nënshkruar midis të dyja palëve në Shtëpinë e Bardhë: projektet e mëdha infrastrukturore dhe njohja reciproke me Izraelin.

“Pjesa e parë e marrëveshjes për projektet e mëdha infrastrukturore përfshin autostradën dhe hekurudhën Prishtinë-Merdarë, studimin e fizibilitetit për hekurudhë që lidh Prishtinën me Detin Adriatik dhe mbështetje të mëdha për ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Gjithashtu investime në energjetikë përmes sjelljes së gazit në Prishtinë dhe ndërtimit të termocentralit në vend dhe rrjetit shpërndarës të gazit në Kosovë. Të gjitha këto marrëveshje kapin shumën mbi 1 miliardë euro, financa të ofruara në dispozicion nga MCC dhe nga Banka Eksport-Import e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka zotim të qartë të presidentit Trump se që gjitha këto projekte të fillojnë së zbatuari brenda një viti”, tha Hoti.

Elementi i dytë i marrëveshjes, siç tha Hoti, është njohja e ndërsjellë me shtetin e Izraelit, për të cilën tha se ka kryer një telefonatë me kryeministrin Netanjahu në prezencë të presidentit Trump duke falënderuar atë për gatishmërinë për shtetin e Izraelit për ta njohur Kosovën, me të cilin është dakorduar që menjëherë të vendosen marrëdhënie diplomatike mes dyja vendeve.

“Sapo të kthehemi në Prishtinë do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme që sa më parë Kosova të ketë ambasadën e stafit diplomatik të plotë në shtetin e Izraelit”, tha Hoti.

Përpos këtyre dy pikave kryesore të marrëveshjes, Hoti tha se ka edhe pika të tjera, siç është funksionalizimi i pikës kufitare në Merdarë ku do të vendoset i gjithë stafi doganor dhe policor i Kosovës dhe Serbisë; gatishmëria kosovare që të hyjë në mini-schengen; njohja e diplomave dhe certifikatave nga të dyja vendet; është arritur pajtim që gjithashtu të bëhet studim fizibiliteti për Liqenin e Ujmanit (për mënyrën se si do të përdoret uji i këtij liqeni në të ardhmen).

Në fund, Hoti tha se u është kërkuar që për një vit Kosova të pauzojë në anëtarësim në organizata ndërkombëtare (përjashtim bëjnë njohjet e reja); ndërkaq, Serbia është obliguar që të stopojë çfarëdo kampanje kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe njohje të reja të shtetësisë.

Kryeministri Avdullah Hoti do të qëndrojë së paku edhe për një ditë në SHBA, ku nesër pritet që ta takohet me sekretarin e shtetit Mike Pompeo.