Kryeministri Hoti: Mini-Schengeni na u kërkua nga SHBA-ja dhe e pranuam

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur për herë të parë në një prononcim publik në Kosovë pas marrëveshjes së arritur për normalizim ekonomik më 4 shtator midis Kosovës dhe Serbisë në Washington me prani të presidentit amerikan Donald Trump, raporton Anadolu Agency (AA).

Hoti, pas mbledhjes së Qeverisë, tha se marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë midis Kosovës dhe Serbisë në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve mes të dyja shteteve e fuqizon sovranitetin e Kosovës dhe nuk e dobëson atë.

I pyetur rreth idesë së mini-schengenit ballkanik, për të cilën Hoti ka qenë vazhdimisht kundër, tha se atë e ka kërkuar SHBA-ja ndërsa Hoti ka ndryshuar qëndrim dhe e ka pranuar.

“Sa i përket mini-schenenit ju e dini qëndrimin tim për këtë. Edhe kur na është shtruar në Washington unë kam qenë kundër, por, më është kërkuar nga Shtëpia e Bardhë që ta pranoj këtë, të bëhet Kosova pjesë e kësaj iniciative. Tash do të punojmë bashkë me ministrat përkatës që ndërkohë që i bashkohemi kësaj iniciative rajonale, ne të kujdesemi që në asnjë moment të mos cenohen interesat shtetërore të Republikës së Kosovës”, tha Hoti.

Kryeministri kosovar tha se garanton që në tavolinat e diskutimeve ku ai do të merr pjesë nuk do të diskutohet për shkëmbim të territoreve Kosovë-Serbi, por do të ruhet sovraniteti e integriteti i vendit.

“Mos të ketë askush dyshime që do të shtrohet ndonjë pikë e cila e prekë në esencë sovranitetin dhe integritetin e shtetit të Kosovës si tërësi. Por, sigurisht ne duhet të diskutojmë për bashkëpunim ekonomik, për të pagjeturit, për projekte të përbashkëta, për dëmet e luftës, për gjithçka tjetër që duhet ta adresojmë në marrëveshjen finale”, ka thënë Hoti.

Sa i përket bashkëpunimit ekonomik, Hoti tha se pret që sa më parë i gjithë rajoni të integrohet në BE “dhe të jemi një zonë ekonomike dhe politike”.

Në mbledhjen e mbajtur me kabinetin qeveritar, Hoti tha se projektet infrastrukturore të parapara në marrëveshjen që Kosova e Serbia nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë kapin vlerën e më shumë se një miliard dollarëve. Në fillim të mbledhjes së 29-të të Qeverisë, para ministrave të tij, Hoti ka ritheksuar se kjo marrëveshje është “hap i madh drejt marrëveshjes finale”.