Me tërheqjen e presidentit rumun Klaus Iohannis nga kandidatura për Sekretar të Përgjithshëm të NATO-s, kryeministri holandez Mark Rutte mbeti kandidati i vetëm për këtë post, transmeton Anadolu.
Sipas lajmeve në mediat rumune të bazuar në deklaratën me shkrim të Presidencës, Iohannis njoftoi se është tërhequr nga kandidatura dhe se do të mbështesë kryeministrin holandez Rutte.
Kështu, është pothuajse e sigurt se Rutte do të jetë ai që do të marrë detyrën nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg më 1 tetor.
Rutte dha dorëheqje më 7 korrik 2023, pas prishjes së qeverisë së koalicionit në Holandë dhe njoftoi se do të vazhdonte detyrën e tij si kryeministër deri në formimin e qeverisë së re dhe se më pas do të largohej nga politika aktive.
Pasi u bë e qartë se mandati i Stoltenbergut nuk do të zgjatej për një mandat tjetër, Rutte shpalli kandidaturën e tij për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. Edhe pse fitoi mbështetjen e shumë vendeve në një kohë të shkurtër, Rutte nuk mbështetej nga Hungaria, Sllovakia dhe Rumania.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban pasi mori garanci nga Stoltenbergu se vendi i tij nuk do të merrte pjesë në planet e NATO-s për Ukrainën, ai i bëri të njëjtën kërkesë edhe Rutte-s. Edhe Orban deklaroi mbështetjen e tij për politikanin holandez më 18 qershor, pasi Rutte e siguroi atë në një letër se Hungaria nuk do të detyrohej t’i jepte asnjë ndihmë ushtarake apo financiare Ukrainës në kuadër të NATO-s.
Stoltenberg tha në deklaratën e tij në të njëjtën ditë se ai e shihte Rutte-n si një kandidat “shumë të fortë” për të marrë kreun e NATO-s. Vendimi zyrtar për këtë çështje do të shpallet në samitin e NATO-s që do të mbahet në Washington më 9-11 korrik.