Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryeministri gjeorgjian: Zourabichvili duhet të largohet nga presidenca para 29 dhjetorit

Kryeministri gjeorgjian: Zourabichvili duhet të largohet nga presidenca para 29 dhjetorit

Irakli Kobakhidze

Sipas kryeministrit të Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze, presidentja Salome Zourabichvili duhet të largohet nga zyra e saj para 29 dhjetorit, derisa protestat antiqeveritare vazhdojnë në vendin e Kaukazit Jugor për gati një muaj, transmeton Anadolu.

“Presidentja Zourabichvili do të duhet të largohet nga detyra më 29 dhjetor. Le të shohim se ku do të vazhdojë jetën e saj, pas hekurave apo jashtë. Unë besoj se ajo ka ndjesi të mjaftueshme për të shmangur shkeljen e Kodir Penal”, tha Kobakhidze në një konferencë për media në kryeqytetin Tbilisi.

Komentet e tij vijnë një ditë pasi presidentja Zourabichvili përsëriti thirrjen e saj për zgjedhje të reja në vend, si dhe gatishmërinë për të biseduar për këtë çështje me Bidzina Ivanishvilin, kryetarin e nderit të partisë në pushtet.

Më 29 dhjetor, ish-futbollisti Mikheil Kavelashvili, do të inaugurohet si president i gjashtë i Gjeorgjisë, i cili si kandidat i vetëm në fletëvotim, më 14 dhjetor fitoi votimin e një kolegji elektoral me 300 vende që zëvendësoi zgjedhjet e drejtpërdrejta presidenciale.

Megjithatë, votimi është lënë në hije nga tensionet politike që rrjedhin nga zgjedhjet e diskutueshme të muajit tetor, në të cilat partia në pushtet ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ fitoi një shumicë prej 89 vendesh në parlamentin me 150 vende, pasi siguroi 53,93 për qind të votave.

E konsideruar pro Bashkimit Evropian (BE), presidentja Zourabichvili, e cila u zgjodh në vitin 2018, refuzoi njohjen e rezultateve duke pretenduar se zgjedhjet u dëmtuan nga ndërhyrja ruse, ndërsa partitë e opozitës thanë se vota ishte “vjedhur” dhe që atëherë kanë bojkotuar seancat e parlamentit.

Më 28 nëntor, kryeministri Kobakhidze tha se Gjeorgjia do të pezullojë bisedimet e pranimit në BE deri në vitin 2028, një veprim që ka çuar në protesta të gjera në të gjithë vendin, përfshirë në kryeqytetin Tbilisi.

Exit mobile version