Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze, ka mohuar pretendimet për një krizë politike pavarësisht nga gati tre javë protesta pro Bashkimit Evropian (BE) pas vendimit të qeverisë për të pezulluar bisedimet e pranimit me bllokun evropian, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në kryeqytetin Tbilisi, Kobakhidze tha se institucionet e vendit të Kaukazit Jugor mbeten të qëndrueshme dhe funksionale.
“Ka një shumicë të qëndrueshme parlamentare, një qeveri të qëndrueshme dhe si rrjedhojë nuk ka krizë politike”, tha ai.
Protestat shpërthyen pasi qeveria njoftoi se do të pezullojë fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE deri në vitin 2028, duke përmendur presionet e jashtme.
Kobakhidze akuzoi disa forca radikale se u përpoqën të destabilizojnë vendin gjatë protestave dhe u vlerësoi forcave të sigurisë që penguan përpjekjet e supozuara për të përmbysur qeverinë.
Më 28 nëntor, Kobakhidze njoftoi se në përgjigje të ndërhyrjes së dyshuar politike evropiane dhe zhvatjes me fondet e BE-së, Gjeorgjia do të pezullojë bisedimet e saj të pranimit në BE deri në vitin 2028, megjithëse do të vazhdojë të punojë drejt anëtarësimit në BE deri në vitin 2030.
Vendimi shkaktoi zemërim, me mijëra protestues që dolën në rrugët e Tbilisit.
Opozita e Gjeorgjisë, nga ana e saj, ka akuzuar Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet e përgjithshme të vendit të 26 tetorit, në të cilat fitoi një parti pro-ruse.
Moska është kundër hyrjes së Gjeorgjisë në BE.