Kryeministri Bennett kundërshton krijimin e shtetit të pavarur palestinez

Kryeministri izraelit, Naftali Bennett deklaroi se është kundër krijimit të një shteti të pavarur palestinez dhe se nuk do të zhvillojë bisedime me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas.

Në një intervistë për KAN News, Bennett foli për zhvillimet politike në axhendën e Izraelit duke thënë se krijimi i shtetit të pavarur palestinez do të ishte “një gabim i tmerrshëm”.

Ai po ashtu tha se nuk do të takohej me Abbasin, për të cilin shtoi se po “padit ushtarët dhe komandantët e IDF-së në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë” dhe se ”po siguron pagesa mujore për “terroristët”, duke iu referuar të burgosurve palestinezë dhe të afërmve të palestinezëve të vrarë.

Në një intervistë me të përditshmen izraelite “Yedioth Ahronoth”, ai argumentoi se i gjithë Jeruzalemi është kryeqyteti i Izraelit.

Palestinezët kërkojnë themelimin e një shteti të pavarur me kryeqytet Jeruzalemin Lindor.

Sidoqoftë, administrata izraelite e kundërshton këtë, duke thënë se i gjithë qyteti është kryeqyteti i tij.​​​​​​​ /atsh