Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan deklaroi se do të japë dorëheqje në muajin prill në mënyrë që të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare në vend.
Gjatë vizitës së tij në rajonin Armavir të vendit, Pashinyan tha se “unë do të jap dorëheqje në prill. Por, unë do ta bëj këtë jo për të lënë pushtetin, por për të mbajtur zgjedhje të parakohshme”.
Pashiani vuri në dukje se ai do të mbetet kryeministër i përkohshëm deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 20 qershor.
Muajin e kaluar, ushtria armene bëri thirrje për dorëheqjen e Pashinyanit.
Ai kritikoi thirrjen e ushtrisë për dorëheqje duke e cilësuar si një përpjekje për grusht shteti dhe u kërkoi mbështetësve të tij të dilnin në rrugë për të rezistuar. Ai më vonë shkarkoi shefin e ushtrisë, Onik Gasparyan.
Trazirat politike vijnë pas përfundimit të konfliktit ushtarak midis Armenisë dhe Azerbajxhanit vjeshtën e kaluar, i parë gjerësisht si një fitore për Azerbajxhanin. /atsh