Gjendemi në një gjendje ku pazari na ka rënë shumë poshtë. Njeriu që dikur ishte shpresë për fillimin e bashkimit të trojeve shqiptare, sot as Kosovën nuk po mund ta bashkojë, me Shqipërinë është ftohur, po ashtu as me Luginën e Preshevës hiç nuk i ka punët mirë, kurse ndërkombëtarët çdo ditë e më tepër po e izolojnë, paçka se së fundmi u mundua t’i futet në qejf ndërkombëtarëve duke e përkrahur haptas paradën e turpit në sheshin e Prishtinës. Mirëpo, sërish kot.
Shkruan: Iljasa SALIHU, Shkup
Ata të cilët prej kohësh kanë pasur mundësi ta përcjellin dhe ta njohin mirë veprimtarinë e Albin Kurtit, mospajtimin dhe pastaj përplasjen me ndërkombëtarët, do ta përkapin si diçka të pritshme dhe jo të befasishme, ngaqë kryefjala e kauzës së tij ishte vetëvendosje dhe fillimisht bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Të kesh kësi kauze dhe të mos përplasesh me ndërkombëtarët, me ata që qysh në vitin 1913 e ujitën copëtimin e tokave shqiptare, është e pamundur dhe e pabesueshme. Megjithatë, askush nuk e kishte menduar se mospajtimi dhe përplasja e herëpashershme me ndërkombëtarët nuk do të ketë fare lidhje me kauzën për bashkim kombëtar ose me frymën me të cilën njësohej Kurti. Ndërkombëtarët u ftohën me të jo pse Kurti mori parasysh referendumin e vitit 1992, ku shqiptarët e Luginës së Preshevës njëzëri kishin shprehur gadishmëri t’i bashkohen Kosovës, as se Kurti si element të rëndësishëm i bëri pjesë të negociatave në Bruksel shqiptarët e Luginës së Preshevës, as se hodhi një hap konkret drejt bashkimit me Shqipërinë, por sepse Kurti mori një hap konkret në shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës. Katër komuna që janë me shumicë serbe e mohojnë haptas shtetësinë e Kosovës, kurse ndërkombëtarët janë haptas kundër përpjekjes së Kurtit për ta shtrirë shtetësinë edhe në këto katër komuna. Madje, ata “këshillojnë” që sa më shpejt të formohet Asociacioni, ndërsa themelimi i tij edhe më shumë do ta pengonte shtrirjen dhe funksionalizimin e sovranitetit të Kosovës. Por, në të kundërtën, pasojat do të shihen, ndonëse besa po përjetohen edhe tanimë. Mario Sota në një rast shprehet kështu: “E ke parasysh çastin kur rëra të djeg? Mirëpo, kjo ty nuk të intereson, sepse po vrapon në drejtim të detit. Kështu duhet të jetosh!” Kurti ose qeveria e tij vlerëson e vetëdijshme se është nisur në drejtim të detit, paçka se shputat e këmbëve si në prush po i djegin, por ai po na tregon se ia vlen barra qeranë, ngaqë një ditë do ta shijojmë flladin e ujit të detit. Ndërkaq, pragmatikët vlerësojnë se kjo është vetëm një gjendje mendore e tij, që është kapur në pezhishkën e fantazisë së tij!
Për fatin tonë të mjerë, në një gjendje ku pazari na ka rënë shumë poshtë. Njeriu që dikur ishte shpresë për fillimin e bashkimit të trojeve shqiptare, sot as Kosovën nuk po mund ta bashkojë, me Shqipërinë është ftohur, po ashtu as me Luginën e Preshevës hiç nuk i ka punët mirë, kurse ndërkombëtarët çdo ditë e më tepër po e izolojnë, paçka se së fundmi u mundua t’i futet në qejf ndërkombëtarëve duke e përkrahur haptas paradën e turpit në sheshin e Prishtinës. Mirëpo, sërish kot. Ata e duan një njeri që i thonë kryeministër, por që në përmbajtje është një kryedëgjues i plotë. Ai po sanksionohet se flamurin e Kosovës e vendosi në godinën e komunës që gjendet në Kosovë, kurse në anën tjetër po dënohet edhe Komuna e Preshevës, që në ditën e flamurit e kishte vendosur flamurin kombëtar në godinën e komunës, mirëpo ky standard i dyfishtë për ndërkombëtarët tashmë është bërë standard dhe, si rrjedhojë e këtij standardi, tashmë është shkërmoqur çdo vlerë dhe çdo parim.
Deklaratat e ndërkombëtarëve dhe të parit të Serbisë kundrejt përpjekjes së Kurtit për ta shtrirë sovranitetin në tërë territorin e Kosovës janë tepër shqetësuese dhe paralajmërojnë një agim të vonuar për Kosovën. “Anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjen ‘Defender Europe 2023’, është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, që ka refuzuar thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në Veri”. Disa herë brenda muajit të kaluar, shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian në Kosovë, të njohur ndryshe si QUINT, kishin reaguar për situatën e krijuar në Veri të Kosovës, duke e dënuar vendimin e institucioneve për hyrjen me forcë në ndërtesat komunale në Veri, pavarësisht thirrjeve tona të vazhdueshme për përmbajtje”. Ne jemi të gatshëm për kompromise, thjesht po kërkoj që të largohen kryetarët e rrejshëm nga ndërtesat e komunës, le të japin dorëheqjen. Jemi të gatshëm për kompromise, por edhe të fillojmë formimin e asociacionit, thotë Vuçiqi”. Në ditëlindjen e 24-vjetorit të çlirimit të Kosovës, vendi është përballur me një goditje të rëndë. Pas pezullimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga “Defender Europe 2023″, ambasadorët e vendeve të QUINT-it kanë vendosur të bojkotojnë pritjen zyrtare të organizuar nga presidentja Vjosa Osmani për të festuar 12 qershorin, Ditën e Çlirimit të Kosovës”. “Ata që duan të jenë partnerë me ne, duhet të punojnë afër me SHBA-në dhe Bashkimin Europian, në pikat në të cilat jemi duke insistuar. Një lider nuk mund të ketë në dorë drejtimin e gjithë rajonit. Prandaj, ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja, thotë Eskobari”. Këto janë disa nga deklaratat dhe veprimet që secilit që të paktën di shkrim e lexim i bëhet e qartë se sa poshtë na ka rënë katundi, që të krijohet përshtypja se shqiptarët paskan qenë pushtuesit dhe zullumqarët ndaj Serbisë, që në territorin e Serbisë, Kosova – e ndihmuar dikur nga ndërkombëtarët – po dëshiron dhe mëton t’i fusë nën qeverisjen e saj katër komuna që gjenden në Serbi, ndaj Kurti po sanksionohet ashpër!
Në tërë këtë mishmash nuk është edhe pa lëshime dhe kundërthënie edhe qeveria e Kurtit, e cila po sillet sikur nuk e ka kuptuar se në shtetet satelite nuk mjafton vetëm të kesh të drejtë, por përmes shkathtësisë politike dhe diplomatike këtë të drejtë duhet ta jetësosh në bashkërendim me ata që e kanë në dorë edhe arrën edhe gurin, ngaqë të mos pyesësh fare për veprimet, sado të drejta të jenë, dhe pastaj të kërkosh ndihmë në asgjësimin e pasojave, në këtë përbërje dhe në këtë realitet është e pamundur. Të rrëmbehen tre policë shqiptarë nga policia serbe në tokën e Kosovës dhe në detyrë zyrtare, duke krijuar kështu edhe spektakël para kamerave, të ngujohet kryetari i komunës me javë të tëra, të rrihen gazetarët në territorin e tyre dhe të sillesh nëpër konferenca vendore e rajonale sikur të mos ketë ndodhur asgjë, kjo është joserioze dhe joempatike për protagonistët viktima të kësaj sprove, por s’do mend edhe për shtetin dhe familjet e tyre. Faktori ndërkombëtar, përmes “silent treatment”, që është një mënyrë dhe përshfaqje ndëshkimi ndaj Kurtit, ku edhe pse ka njëmijë arsye për të reaguar, nuk bëzanë fare, siç ishte rasti me barrikadat e para disa muajve, duke ia bërë me dije Kurtit “kryeneç” se “adresa dhe vula e zgjidhjes së problemit jemi ne dhe jo ti; përndryshe urdhëro e hiqi barrikadat pa ndihmën tonë, urdhëro e mbroji policët, qytetarët dhe gazetarët pa mbështetjen tonë!”. Vjosa e Kurti, në cilësi të mishërimit ndaj këtyre viktimave dhe në cilësi të presionin ndaj faktorit ndërkombëtar, për një kohë të caktuar, duhet ta bojkotojnë çdo udhëtim zyrtar, ndërsa edhe buzëqeshjes është mirë t’i vënë pak fre, sepse në kohën derisa po shkruajmë ne, kushedi se çfarë tortura mendore janë duke përjetuar policët e rrëmbyer, çfarë përjetimi shpirtëror është duke përjetuar kryetari i ngujuar dhe çfarë dhimbje janë duke ndjer gazetarët e sulmuar nga huliganët serbë, shtoja kësaj edhe ndjenjën e nënçmimit që mund të ndjehet në FSK për shkak të përjashtimit nga stërvitjet elitare dhe, përgjithësisht, pasigurinë qytetare si rrjedhojë e kësaj gjendjeje të nderë.
Gjendja edhe mund të shtensionohet këto javë ose muajin tjetër, mirëpo gjurmët e turpit dhe të nënçmimit do të jenë të pashlyeshme. Mbase nuk është çështja vetëm te shtensionimi i gjendjes, siç po e shtrojnë gabimisht ndërkombëtarët problemin, por nëse shtensionimi nuk shoqërohet me zgjidhje të qëndrueshme të problemit, atëherë punët edhe do të shkojnë më keq, ndaj tani meqë u hoq qilimi që deri më sot kishte shërbyer për ta fshehur bërllogun e grumbulluar prej vitesh, atëherë çështjes duhet shkuar deri në fund dhe çdo kthim në pikën zero në emër të shtensionimit të gjendjes është thellim i dështimit dhe tallje me gjithë protagonistët viktima si rrjedhojë e kësaj gjendjeje të nderë. /revistashenja