Kryediplomatja kosovare dhe ministri i Drejtësisë takohen me Palmer në Washington

Në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA, ministri i Drejtësisë së Kosovës, Selim Selimi bashkë me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, kanë zhvilluar një takim me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Matthew Palmer, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç thuhet në njoftimin nga Ministria e Drejtësisë, gjatë këtij takimi, ministri Selimi dhe ministrja Haradinaj-Stublla me Palmer kanë diskutuar për intensifikimin e agjendës shtetërore në përafrimin e Kosovës me familjen euro-atlantike, progresin në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe hapjen e një dinamike të re për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me njohje në kufijtë ekzistues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ministri Selimi dhe ministrja Haradinaj-Stublla kanë vlerësuar lartë kontributin dhe angazhimin e zëvendësndihmës sekretarit të shtetit Palmer si dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së “si aleati më i madh dhe më i rëndësishëm për Kosovën dhe popullin e saj”.

Sa i përket procesit të dialogut, ministri Selimi sipas komunikatës ka theksuar se Kosova është gjithnjë besnike ndaj interesave strategjike të shtetit mik dhe për këtë ka konsideruar se “pa bashkërendim dhe garancë të Amerikës, është vështirë arritja e çfarëdo marrëveshjeje të qëndrueshme me Serbinë”.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Palmer ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-së për Kosovën, duke potencuar se fokus kryesor duhet të jetë arritja e progresit të Kosovës në integrimin e plotë ndërkombëtar, forcimin e shtetit ligjor dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Roli aktiv dhe mbështetja e SHBA-së, si aleate strategjike jona, është e pazëvendësueshme për të mbyllur të gjitha çështjet e hapura me Serbinë”, theksuan dy ministrat në fund të takimit me Palmer.

Ministri i Drejtësisë, Selimi dhe ministrja e Jashtme, Haradinaj-Stublla po qëndrojnë për vizitë zyrtare në SHBA nga e shtuna e javës së kaluar. Selimi dhe Stublla-Haradinaj do të takohen atje me përfaqësues nga Departamenti i Shtetit dhe zyrtarë të lartë të sistemit të drejtësisë amerikane. Sipas ministrit Selimi “qëllim i vizitës është rritja e bashkëpunimit, marrja e ekspertizës dhe përpjekjet e vazhdueshme të përafrimit me standardet amerikane në fushën e drejtësisë”.