Kryediplomati ukrainas takohet me liderin e administratës së re siriane në Damask

Ministri i Jashtëm Andrii Sybiha

Kryediplomati ukrainas u takua me udhëheqësin e administratës së re të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, gjatë një vizite të paparalajmëruar në Damask, transmeton Anadolu.

Agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA raportoi në X se al-Sharaa priti një delegacion të nivelit të lartë ukrainas të kryesuar nga Ministri i Jashtëm Andrii Sybiha, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi agjendën e takimit.

Autoritetet ukrainase nuk i kanë bërë të ditur paraprakisht detajet e vizitës së Sybiha-s në vend.

“Sot në Damask u takova me udhëheqësin e administratës siriane Ahmed Al-Sharaa dhe personalisht i përcolla popullit sirian mesazhin e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy: ne jemi me ju dhe të gatshëm për të ndihmuar në rivendosjen e jetës normale, stabilitetit dhe sigurisë së ushqimit”, ka postuar Sybiha në X pas takimit, duke shtuar:

“Ne mbështetemi në Sirinë e re duke respektuar ligjin ndërkombëtar, duke përfshirë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Kjo do të hapë rrugën për rivendosjen e plotë të lidhjeve tona diplomatike, dialogun politik dhe praninë diplomatike. Ne jemi të gatshëm të zhvillojmë bashkëpunim në disa fusha”.

Vizita e kryediplomatit ukrainas në Damask erdhi tre ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi se Kievi dërgoi 500 tonë miell në Siri si pjesë e nismës së Kievit “Drithëra nga Ukraina” (Grain From Ukraine).

“Mielli i grurit është planifikuar të shpërndahet për 33.250 familje ose 167 mijë banorë në javët në vijim. Çdo paketë peshon 15 kilogramë dhe mund të ushqejë një familje me pesë anëtarë për një muaj”, tha Zelenskyy në X.

Të hënën e kaluar, Zelenskyy tha se ai udhëzoi Ministrinë e Jashtme të Ukrainës që të bënte më shumë përpjekje për të vendosur “të gjitha kontaktet e nevojshme” me administratën e re në Siri.