Kryediplomati turk sot do të vizitojë Azerbajxhanin

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, do të qëndrojë për një vizitë pune në Azerbajxhan mes përplasjeve të vazhdueshme kufitare midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme, Çavuşoğlu gjatë vizitës së tij do të pritet nga presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Ministria thekson se me homologun e tij azerbajxhanas, Ceyhun Bayramov, ministri Çavuşoğlu do të shkëmbejë pikëpamje mbi situatën aktuale në rajonin e Azerbajxhanit të pushtuar të Malësisë së Karabakut nga armenët, si dhe mbi zhvillimet e reja aktuale rajonale dhe ndërkombëtare”.

Përplasjet e vazhdueshme filluan më 27 shtator, kur forcat armene shënjestruan vendbanimet civile të Azerbajxhanit dhe pozicionet ushtarake në rajon, veprim që shkaktoi edhe viktima.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor ndërkombëtarisht i njohur i Azerbajxhanit.

Shumë rezoluta të Kombeve të Bashkuara (OKB), si dhe shumë organizata ndërkombëtare kërkojnë tërheqjen e forcave pushtuese.

Grupi i Minskut i OSBE-së, i bashkë-kryesuar nga Franca, Rusia dhe SHBA-të, u formua në vitin 1992 për të gjetur një zgjidhje paqësore të konfliktit, por deri më tani pa rezultate. Megjithatë, në vitin 1994 u ra dakord për një armëpushim.