Kryediplomati turk: Gje’noc’idi i Iz’raelit kundër pa’lestinezëve i ka përkeqësuar edhe më tej problemet

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan deklaroi se gjenocidi i Izraelit kundër palestinezëve i ka përkeqësuar edhe më tej problemet, raporton Anadolu.

Fidan iu drejtua pjesëmarrësve në Forumin e 10-të Global të Aleancës së Qytetërimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB) në qytetin Cascais të Portugalisë.

“Gjenocidi i Izraelit kundër palestinezëve i ka përkeqësuar edhe më tej problemet dhe në vende të ndryshme janë organizuar protesta dhe britmat e shoqërive. Ne kurrë nuk kemi qenë kaq afër përplasjes së qytetërimeve. Ky është një paralajmërim për njerëzimin. Sa më shumë heshtim, aq më shumë fragmentime do të ndodhin në sistemin ndërkombëtar”, tha Fidan.

Sipas tij, ajo që dëshmohet sot i zbulon plotësisht çështjet që janë nënvizuar në raportin e grupit të nivelit të lartë në vitin 2006. Fidan shtoi se nuk do të jetë e mundur të arrihet paqja e përhershme globale pa zgjidhjen e problemeve në Lindjen e Mesme.

Ai vuri në dukje se në horizont nuk duket paqe, për sa kohë në Gaza vriten dhjetëra mijëra njerëz, përfshirë fëmijë të pafajshëm dhe për sa kohë që miliona njerëz janë braktisur në uri, varfëri dhe vdekje.

“Vendet që mbështesin Aleancën e Qytetërimeve dhe vlerat e saj thelbësore nuk mund të qëndrojnë të heshtur për katastrofën humanitare që po përjetohet në Gaza. Për këtë arsye nuk është rastësi që vendet që duan paqen për Palestinën, sot janë në këtë sallë. Ndërsa ata që janë të paaftë edhe të shqiptojnë fjalën armëpushim, mungojnë”, tha kryediplomati turk.

“Ata që na japin neve leksione pa respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe vlerat universale sot nuk janë në këtë sallë, sepse kjo është një aleancë paqeje. Është një aleancë për paqen jo vetëm në Perëndim, por edhe në pjesën tjetër të botës, përfshirë Palestinën”, tha Fidan.