Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu dhe homologu i tij iranian, Hossein Amir-Abdollahian, kanë zhvilluar bisedime të gjera në Teheran duke u fokusuar në “bashkëpunimin afatgjatë midis vendeve bazuar në një udhërrëfyes të ri”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij iranian, Çavuşoğlu tha se Turqia dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet e saj të thella me Iranin dhe këtë vit të mbajë takimin e shtatë të këshillit të bashkëpunimit të nivelit të lartë midis dy vendeve.
“Delegacionet tona do të punojnë për të përcaktuar një udhërrëfyes për një bashkëpunim afatgjatë gjithëpërfshirës me propozimin e Iranit”, tha Çavuşoğlu, duke shtuar se ata shpresojnë të nënshkruajnë këto marrëveshje para përfundimit të samitit.
Çavuşoğlu po ashtu tha se me homologun e tij iranian diskutuan edhe çështjet e sigurisë si terrorizmin, migracionin dhe kontrabandën e qenieve njerëzore.
Marrëveshja bërthamore e Iranit
Më tej, Çavuşoğlu theksoi se Turqia në të gjitha platformat është shprehur se sanksionet e njëanshme kundër Teheranit janë të gabuara dhe se “të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapat e nevojshme” për ta kthyer sërish në operacionale marrëveshjen bërthamore të Iranit, të njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA).
JCPOA-ja është një marrëveshje e vitit 2015 e nënshkruar midis Iranit dhe pesë fuqive botërore, respektivisht SHBA-së, Kinës, Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë.
Irani dhe Bashkimi Evropian (BE) së fundmi njoftuan se më 29 nëntor në Vjenë do të rifillojnë bisedimet e ngecura, duke i dhënë fund muajve të pasigurisë.
Duke theksuar se Turqia përshëndeti këtë njoftim dhe se sanksionet e njëanshme kundër Iranit duhet të hiqen, Çavuşoğlu tha se veçanërisht ata që u tërhoqën nga marrëveshja JCPOA duhet të ndërmarrin hapat e nevojshme.
“Rezultati pozitiv i këtyre bisedimeve do të jetë i rëndësishëm jo vetëm për marrëdhëniet tona ekonomike, por edhe për stabilitetin e rajonit”, u shpreh ai.
Duke theksuar se zhvillime të rëndësishme po ndodhin në rajon, ministri turk tha se, “Është më e rëndësishme se kurrë që ne të vazhdojmë dialogun tonë dhe të bashkëpunojmë për çështjet rajonale”.
Duke përmendur situatën në Afganistan, Irak, Jemen dhe Gjirin Persik, ai po ashtu tha se puna duhet të vazhdojë për një zgjidhje politike në Siri dhe se Turqia është e gatshme të punojë ngushtë me Iranin për këto çështje, si dhe për stabilitetin e rajonit të Kaukazit Jugor.
Duke shprehur shqetësimin për Afganistanin, Çavuşoğlu tha se pikëpamjet e Ankarasë dhe Teheranit mbivendosen për shumë çështje që lidhen me paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në vendin që po lufton me krizën humanitare dhe me vështirësitë ekonomike.
“Është dëshira jonë për të krijuar një qeveri gjithëpërfshirëse”, shtoi ai.
Udhëtimi në Liban
I pyetur për udhëtimin e tij të ardhshëm në Liban, që është planifikuar për të marten, Çavuşoğlu në konferencën për media tha se ishte një “rastësi e mirë” që vizita e tij në Bejrut erdhi pas vizitës në Teheran.
Të hënen, Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë njoftoi se Çavuşoğlu do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Liban, ku ai dhe bashkëbiseduesit e tij do të diskutojnë hapat e mundshme drejt zgjerimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe të Ankarasë me Bejrutin, si dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.
Përveç bisedimeve me homologun e tij libanez, është planifikuar që Çavuşoğlu të pritet në takim edhe nga presidenti, kryeparlamentari dhe kryeministri i vendit.
Të hënen në Teheran, Çavuşoğlu u prit edhe nga presidenti iranian, Ebrahim Raisi, me të cilin diskutoi “marrëdhëniet dypalëshe, përfshirë tregtinë, investimet dhe luftën kundër terrorizmit, si dhe zhvillimet e fundit në rajon.
Duke ndarë një fotografi nga takimi në rrjetet sociale, Çavuşoğlu shkroi se në takim “ri-konfirmuan vullnetin e ndërsjellë për të zhvilluar më tej marrëdhëniet midis dy vendeve”.
Çavuşoğlu mbërriti në Teheran mëngjesin e së hënes në vizitën e tij të parë në vend që kur Amir-Abdollahian mori detyrën si kryediplomat i Iranit.
“Mes Iranit dhe Turqisë ka shumë konsensus”
Nga ana tjetër, kryediplomati iranian në konferencën e përbashkët për media u tha gazetarëve se të dy palët u pajtuan për një udhërrëfyes për bashkëpunim afatgjatë, duke shtuar se ka “shumë konsensus” midis tyre për çështjet rajonale.
Diskutimet midis dy zyrtarëve, njoftoi ministri Amir-Abdollahian, trajtuan po ashtu tregtinë dypalëshe, investimet e sektorit privat dhe mjetet efektive për heqjen e pengesave tregtare midis vendeve të tyre.
Ai tha se të dy palët do të shkojnë përtej çështjeve dypalëshe dhe po ashtu do të eksplorojnë rrugët e bashkëpunimit trepalësh dhe shumëpalësh duke iu referuar “kapaciteteve ekzistuese” në rajon.
Amir-Abdollahian përshëndeti marrëdhëniet midis Iranit dhe Turqisë duke i quajtur historike dhe miqësore” dhe tha se pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) gjatë dy viteve të fundit ka shkaktuar një rënie të bashkëpunimit të tyre. Ai shprehu bindje se ky bashkëpunim së shpejti do të arrijë “pikën më të lartë”.
Siç tha ai, një dokument për bashkëpunimin afatgjatë midis dy palëve do të nënshkruhet gjatë një vizite në Teheran të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, por nuk specifikoi datën.
Amir-Abdollahian njoftoi se çështjet rajonale dhe ndërkombëtare po ashtu u diskutuan midis dy palëve, përfshirë situatën në Afganistan. Ai theksoi nevojën për të formuar një qeveri gjithëpërfshirëse në Kabul.
Më tej, ai tha se të dy zyrtarët dënuan sulmin e fundit terrorist me dronë kundër kryeministrit irakian, Mustafa Al-Kadhimi, duke shprehur shpresën që sa më parë të formohet qeveria e re e vendit.
Duke komentuar krizën e Jemenit, Amir Abdollahian tha se Irani dhe Turqia shpresojnë që lufta civile në Jemen të përfundojë sa më parë, së bashku me bllokimin humanitar që rrethon këtë vend musliman. /aa