Ministri i Punëve të Jashtme i Norvegjisë, Espen Barth Eide, ka deklaruar se Izraeli minon përpjekjet për arritjen e “zgjidhjes me dy shtete”, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë për kanalin Al Jazeera, ministri norvegjez tha se anulimi i akreditimeve të përfaqësuesve diplomatik të Norvegjisë në Palestinë nga Izraeli nënkupton se vendi “nuk mbështet idenë e zgjidhjes me dy shtete”.
“E kuptojmë se qeveria e Izraelit nuk mbështet idenë e zgjidhjes me dy shtete dhe se dëshirojnë të minojnë përpjekjet tona për arritjen e zgjidhjes me dy shtete, por ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të arritur këtë sepse nuk ka alternativë efektive”, tha Eide.
“U detyruam të mbyllim përkohësisht zyrën tonë (përfaqësinë). Është e pamundur të punojmë në Ramallah”, shtoi ai.
Këtë hap të Izraelit, Eide e cilësoi si “radikal”.
“Masat e Izraelit ndaj nesh, rrjedhin nga mbështetja që ne ofrojmë ndaj Palestinës kryesisht në gjykatat ndërkombëtare”, theksoi ai.
“Mesazhi që kemi marrë nga Izraeli është për palestinezët dhe botën. Izraeli nuk mbështet zgjidhjen me dy shtete. Bota duhet të jetë e qartë dhe duhet të theksojë se nuk ka një alternativë më efektive se zgjidhja me dy shtete”, tha Eide.
Më 8 gusht, Izraeli njoftoi se anuloi akreditimin e përfaqësuesve diplomatik të Norvegjisë në Palestinë.
Norvegjia më 28 maj njoftoi se ka njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës, pas çka Izraeli tërhoqi ambasadorët e saj nga Irlanda dhe Norvegjia pasi njohën zyrtarisht shtetin e Palestinës.
Numri i vendeve që njohin shtetin e Palestinës u rrit në 146, pasi Norvegjia vendosi të njohë shtetin e Palestinës njëkohësisht me Irlandën dhe Spanjën.