Ministri i ri i Jashtëm i Sirisë, Asaad al-Shaibani njoftoi se nesër do të bëjë vizitën e tij të parë zyrtare në Türkiye, raporton Anadolu.
“Për të përfaqësuar Sirinë e Re, ne do të bëjmë vizitën tonë të parë zyrtare nesër në Republikën e Türkiyes”, njoftoi Shaibani në një postim në X.
Ai gjithashtu theksoi mbështetjen e madhe të Türkiyes për sirianët, duke thënë se Ankaraja “asnjëherë nuk e ka braktisur popullin sirian gjatë katërmbëdhjetë viteve të fundit”.
Në Türkiye ndodhen më shumë se tre milionë sirianë që u larguan nga lufta civile në 2011.
Shaibani u emërua ministër i Jashtëm në administratën e re të udhëhequr nga Ahmed al-Sharaa pas rrëzimit të regjimit të Bashar Asad në dhjetor. Ai ka përfunduar studimet master për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin “Sabahattin Zaim” të Istanbul-it.
Ankaraja zyrtare është zotuar të ndihmojë Sirinë pas rënies së Asadit dhe ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërkombëtar.