Kryediplomati i Haitit: Turqia nuk e kurseu ndihmën as gjatë pandemisë

Ministri i Jashtëm i Haitit, Claude Joseph, tha se Turqia e ndihmon Haitin në kohë të vështira dhe se vendi nuk e kurseu ndihmën as gjatë pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Joseph mbajti një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu, i cili qëndroi në Haiti në një vizitë zyrtare.

Duke kujtuar se Turqia ishte në mesin e vendeve që nxituan për të ndihmuar Haitin pas tërmetit, Joseph tha se Turqia i ka dhuruar Haitit tre respiratorë në luftën kundër COVID-19.

“Turqia e ndihmon Haitin në kohë të vështira. Turqia nuk e kurseu ndihmën edhe gjatë pandemisë së koronavirusit”, tha kryediplomati i Haitit.

Joseph deklaroi se shtatë marrëveshje janë nënshkruar si rezultat i negociatave të djeshme midis dy vendeve dhe se kanë rënë dakord për shumë çështje, si bashkëpunimi ekonomik, bashkëpunimi politik, menaxhimi i fatkeqësive natyrore, arkivat kombëtare dhe mbështetja e akademive të diplomacisë.

Ai po ashtu vuri në dukje se kanë vlerësuar mundësitë për të bashkëpunuar në fushat e shkencës, kulturës dhe shëndetësisë, duke falënderuar ministrin Çavuşoğlu për përpjekjet e tij për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve.

Joseph theksoi se Turqia është një vend i zhvilluar dhe bujar, duke shtuar se nga Turqia kanë ardhur shumë investitorë turq në sektorë të ndryshëm, siç janë sektori i ndërtimit dhe energjisë.