Ministri i Punëve të Jashtme i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed, ka takuar në Damask kreun e regjimit sirian, Bashar al-Assad, në vizitën e tij të parë të nivelit të lartë nga vendi i Gjirit që nga shpërthimi i luftës civile siriane në vitin 2021, transmeton Anadolu Agency (AA).
Agjencia siriane e lajmeve SANA raportoi se al-Assad priti në takim në Damask ministrin Zayed, i cili shoqërohej nga ministri i Shtetit i Emirateve të Bashkuara Arabe, Khalifa Shaheen dhe kreu i Autoritetit Federal për Identitetin, Shtetësinë, Doganat dhe Sigurinë e Porteve, Ali al-Shamsi.
SANA raportoi se takimi trajtoi “marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve vëllazërore dhe zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme me interes të përbashkët”.
Sipas agjencisë SANA, al-Assad marrëdhëniet me Emiratet e Bashkuara Arabe i quajti “të ngushta vëllazërore” dhe tha se Emiratet e Bashkuara Arabe qëndruan “gjithmonë në krah të popullit sirian”.
Zayed, nga ana e tij, pohoi mbështetjen e vendit të tij për përpjekjet që synojnë arritjen e stabilitetin në Siri.
Kjo është vizita e parë zyrtare e një zyrtari të nivelit të lartë të Emirateve të Bashkuar Arabe në Siri që nga shpërthimi i luftës civile në vend në mars të vitit 2011.
Më 27 dhjetor të vitit 2018, shteti i Gjirit rihapi ambasadën në Damask, pas shtatë vitesh mbyllje në nivelin e të ngarkuarit me punë.
Në qershor të vitit 2020, administrata e presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi Abu Dhabin për pasojat e normalizimit të marrëdhënieve me regjimin sirian dhe mundësinë e përballjes me sanksione në bazë të Aktit të Cezarit, i cili shënjestron të gjithë ata që bëjnë marrëveshje me regjimin e Assad-it.
Që nga muaji korrik, hapat e normalizimit arab me regjimin sirian janë përshpejtuar, veçanërisht nga Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti, të përfaqësuara nga takime të ndërsjella, marrëveshje dhe mirëkuptime ekonomike.
Samiti i ardhshëm i Ligës Arabe në Algjeri në muajin mars pritet të diskutojë rikthimin e anëtarësimit të Sirisë, e cila është ngrirë që nga viti 2011 për shkak të dhunës së regjimit të Assad-it kundër popullit sirian.
Në muajin mars të vitit 2011, në Siri shpërthyen protesta popullore duke bërë thirrje për fillimin e një transferimi paqësor të pushtetit, por regjimi i Assad-it zgjodhi të shtyp protestat ushtarakisht, gjë që e shtyu vendin në një luftë shkatërruese civile. /aa