Kryediplomati Fidan: Turqia dhe Evropa duhet të bashkohen për një fuqi rajonale më efektive

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan tha se marrëdhëniet Türkiye-Bashkimi Evropian (BE) duhet të kthehen në linjën para ish-presidentit francez Nicolas Sarkozy dhe se Türkiye dhe Evropa duhet të bashkohen për një fuqi rajonale më efektive, transmeton Anadolu.

Fidan në një prononcim për televizionin francez “France 24” foli rreth marrëdhënieve Türkiye-BE.

“Vlerësimi ynë është se Türkiye dhe Evropa në përgjithësi, veçanërisht Türkiye dhe Franca duhet të kthehen në linjën para Sarkozy-t”, tha Fidan i cili shtoi se deri në periudhën e Sarkozy-t, liderët politikë të Gjermanisë dhe Francës, dy vendet më të mëdha në Evropë e shihnin anëtarësimin e Türkiyes në BE si një hap strategjik.

Ai theksoi se gjatë periudhës së Sarkozy-t, anëtarësimi i Türkiyes trajtohej si një pjesë e politikës së brendshme dhe filloi të shikohej përmes fokusit të politikës së identitetit ndaj Türkiyes.

Kryediplomati turk tërhoqi vëmendjen për praninë e dy qasjeve lidhur me forcimin e sigurisë së Evropës. Fidan tha se e para nga këto është që Evropa të krijojë qendrën e saj të gravitetit në rajonin e saj, përfshirë Türkiyen dhe duke paraqitur një qëndrim gjeostrategjik, duke u bërë kështu më rezistente ndaj kaosit ndërkombëtar dhe rreziqeve gjeopolitike.

Fidan vuri në dukje se qasja e dytë është që Evropa të qëndrojë “shumë e varur nga aktorët e tjerë” për sigurinë e saj.

“Sikur Türkiye do të ishte bërë anëtare e Bashkimit Evropian në 2007 ose 2008… Sepse ato ishin kohë të arta. Kur Turqisë iu dha ky udhërrëfyes i qartë, reformat e BE-së ishin në rrugë dhe asnjë aktor tjetër ndërkombëtar nuk po e kërcënonte Türkiyen. Ata e dinin se sa mirë trajtohej Türkiye nga BE-ja dhe se procesi i bazuar në merita ishte në rrugën e duhur, por më pas anëtarësimi i Türkiyes u bë pjesë e debatit të politikës së identitetit brenda politikës evropiane”, deklaroi Fidan i cili shtoi se kjo duhet të ndryshohet.

“Duhet të kthehemi në linjën para Sarkozy-t. Duhet të hapet një rrugë drejt anëtarësimit të bazuar në merita. Türkiye duhet të bashkohet me Evropën për të krijuar një fuqi më efektive në rajon”, tha Fidan.

Duke iu referuar vizitës së presidentes së Komisionit Evropian (KE) Ursula von der Leyen në Ankara, Fidan lidhur me fillimin e dialogut politik të nivelit të lartë Türkiye-BE tha: “Përshtypja jonë është se ajo dëshiron të ketë një mundësi të tillë. Edhe presidenti ynë është padyshim i gatshëm për të avancuar në këtë drejtim”.