Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryediplomati evropian thirrje komunitetit ndërkombëtar: Mos minoni GJNP-në

Kryediplomati evropian thirrje komunitetit ndërkombëtar: Mos minoni GJNP-në

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht anëtarëve të BE-së, të mos minojnë Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP), duke thënë se mbështetja e Gjykatës është e vetmja mënyrë për të siguruar drejtësi globale, raporton Anadolu.

Në një deklaratë për mediat përpara takimit të dytë të nismës “Koalicioni Global për Zbatimin e Zgjidhjes me Dy Shtete” për Palestinën nga BE-ja dhe Belgjika, Borrell tha se në veçanti ka dashur që ky takim të organizohej në ditën e fundit të detyrës së tij, të cilën po përgatitet t’ia dorëzojë Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Kaja Kallas.

“Nuk doja të largohesha nga puna në Bruksel pa e mbajtur këtë takim. Ky është pothuajse aktiviteti im i fundit në Bruksel. Unë do të largohem nesër, por po punoj për të mbështetur zgjidhjen me dy shtete”, tha ai.

Duke theksuar se paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme do të ndikojë nga afër ndaj Evropës, Borrell tha: “Unë do të doja t’u bëja një thirrje të gjithë anëtarëve të komunitetit ndërkombëtar dhe veçanërisht anëtarëve të BE-së. Ne nuk mund të minojmë GJNP-në. Kjo është e vetmja mënyrë për të pasur drejtësi globale. Është e vetmja mënyrë për të zbatuar llogaridhënien. Nëse evropianët nuk e mbështesin pa vonesë, GJNP-ja nuk do të vlejë për asgjë”.

Ndryshe, gjykata me bazë në Hagë lëshoi ​​urdhër-arrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant më 21 nëntor. Megjithatë, pati deklarata nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë disa vende të BE-së, se nuk do ta mbështesnin Gjykatën.

Koalicioni Global për Zbatimin e Nismës së Zgjidhjes me Dy shtete u lançua nga BE-ja dhe Arabia Saudite më 26 shtator, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB). Takimi i parë u mbajt në Rijad më 30-31 tetor.

Exit mobile version