Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, ka mohuar akuzat për “terrorizëm” dhe korrupsion që janë ngritur kundër tij, sipas një dokumenti gjyqësor të parë nga agjencia Reuters.
Gjatë mbrojtjes së tij në një seancë dëgjimore të shtunën, Imamoglu i quajti akuzat si “të pabesueshme” dhe “të pavërteta”. Ai pritet të dalë para një gjykatësi të dielën, i cili do të vendosë nëse ai do të lirohet apo do të mbahet në paraburgim në pritje të gjykimit.
Arrestimi i tij të mërkurën ka shkaktuar protesta të mëdha në mbi dy të tretat e 81 provincave të Turqisë. Pavarësisht pranisë së rëndë policore dhe ndalimit të demonstratave, mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë për të shprehur pakënaqësinë e tyre.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan e ka akuzuar partinë opozitare CHP për mbrojtjen e “hajdutëve bashkiakë”, ndërsa Ministri i Drejtësisë, Yilmaz Tunc, ka mohuar çdo përfshirje të qeverisë në hetimin ndaj Imamoglut.
Protestat kundër arrestimit të kryebashkiakut kanë vazhduar për të katërtën natë radhazi, ndërsa autoritetet kanë arrestuar mbi 343 persona gjatë demonstratave. Imamoglu e përshëndeti reagimin e qytetarëve, duke e cilësuar atë si një mbrojtje të demokracisë. /mesazhi