Ballina Lajmet Kosovë KRU “Prishtina” nga 25 korriku nis shkyçjen e bizneseve borxhlinj – mbi...

KRU “Prishtina” nga 25 korriku nis shkyçjen e bizneseve borxhlinj – mbi shtatë milionë euro borxhe ujësjellësit

Kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” ka bërë të ditur se nga 25 korrik 2022 do të fillojnë me aplikimin e shkyçjeve nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit, për ato biznese që kanë të papaguar një faturë të ujit të lartë.

Borxhi total i sektorit të bizneseve të vogla e të mëdha është mbi shtatë milionë euro ( mbi pesë milionë euro bizneset e vogla dhe mbi dy milionë euro bizneset e mëdha).

“Ua kujtojmë se Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’ sh.a., qëllimin kryesor e ka ofrimin e shërbimeve të furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit. Për të përmbushur këtë mision me sukses dhe për të ofruar furnizim stabil me ujë, sigurisht që kërkohet angazhim maksimal dhe ka kosto të lartë në trajtimin e ujit dhe mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit, në vazhdimësi”, thuhet në njoftim.

“Në mënyrë që t’u ofrohet ky shërbim cilësor, kërkohet nga ju që të përmbushni obligimin tuaj ligjor ndaj pagesës së faturave të rregullta mujore për shpenzimin e ujit. Keni kohë 6 ditë të paguani të gjitha faturat e papaguara për shërbime të ujit dhe kanalizimit. Masa e shkyçjes dhe më vonë ri-kyçjes do të shoqërohet edhe me shpenzime shtesë të cilat rrjedhin nga tarifat e parapara nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit dhe Urdhëresës Tarifore të Shërbimeve ARRU/UTSH-14/04/2022.

Në rast të ndonjë ndërhyrje të paautorizuar në rrjetin e ujësjellësit /pas aplikimit të shkyçjes, KRU ‘Prishtina’ sh.a. do të iniciojë kallëzime penale për secilin konsumatorë të kategorisë së bizneseve në rast se, ndërmarrin veprime të tilla të paligjshme. Po ashtu, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës – Kodi Nr.06 / L-074, Neni. 314 konsiderohen vepra penale çfarëdo manipulimi apo vjedhje që përfshihet edhe shërbimi me ujë të pijshëm”, thuhet ndër të tjera në njoftimin për media të ujësjellësit.

Exit mobile version