Kronologjia e normalizimit të marrëdhënieve midis Izraelit dhe EBA-së

Dje u njoftua se marrëdhëniet midis Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Izraelit, të cilat i kanë zhvilluar prapa skenave për shumë vite, do të normalizohen edhe zyrtarisht dhe dy vendet do të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme.

Në një deklaratë të përbashkët nga Shtetet e Bashkuara në emër të Izraelit dhe EBA-së, u njoftua se presidenti amerikan Donald Trump, kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu dhe princi i kurorës i Abu Dhabit Mohammed bin Zayed Al Nahyan zhvilluan një telefonatë dhe “u arrit marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve” midis dy vendeve.

Siç është vërejtur, vendet e Gjirit, veçanërisht EBA, garonin me njëra-tjetrën në mënyra zyrtare dhe haptazi vitet e fundit për të normalizuar marrëdhëniet e tyre me Izraelin, ku në pushtet ishte qeveria më djathtiste në historinë e tij.

Vlen të përmendet se procesi i normalizimit midis vendeve arabe dhe Izraelit, të cilin popujt e rajonit e konsiderojnë si “pushtues i Palestinës dhe tokave të tjera arabe”, u përshpejtua, veçanërisht në tre vitet e fundit, përmes ftesave, vizitave, takimeve, deklaratave dhe evenimenteve.

Anadolu Agency (AA) ka përmbledhur rrjedhën e normalizimit të marrëdhënieve midis Izraelit dhe EBA-së.

2015

Në media u raportua lajmi se Mohammed Dahlan, këshilltari i sigurisë i ministrit të Jashtëm të EBA-së Sheik Abdullah bin Zayed Al Nahyan, i akuzuar për shërbim për Izraelin nga partitë palestineze, u takua me ministrin e Mbrojtjes të ekstremit të djathtë të Izraelit Avigdor Liberman në Paris në vitin 2015.

Shtator 2016

Ushtria e EBA-së mori pjesë në një stërvitje të përbashkët ushtarake në Nevada të SHBA-së më 2 shtator 2016, ku morën pjesë forcat ajrore të Pakistanit, Spanjës dhe Izraelit.

Mars 2017

Ushtria e EBA-së mori pjesë në një stërvitje të përbashkët ushtarake me forcat arjrore të SHBA-së, Greqisë dhe Italisë në mars 2017.

21 korrik 2017

Gazeta izraelite Haaretz raportoi se kryeministri izraelit Netanyahu dhe ministri i Jashtëm i EBA-së Sheik Abdullah bin Zayed Al Nahyan u takuan në shtetin amerikan të New York-ut në vitin 2012.

Në lajm thuhej se ata u takuan fshehurazi në një seksion special të një hoteli në katin e fundit, ku ata shkuan përmes parkingut nëntokësor nga një distancë e largët dhe u ngjitën me ashensorin privat.

Tetor 2018

Administrata e EBA-së lejoi sportistët izraelitë të garojnë nën flamurin e tyre në turneun e xhudos që u mbajt në Abu Dhabi në tetor 2018.

Ministrja izraelite e Kulturës dhe Sportit Miri Regev, e cila erdhi në Abu Dhabi me ekipin kombëtar për të parë turneun, përjetoi momente emocionale dhe derdhi lot, pasi u intonua himni kombëtar i vendit të saj në ceremoninë e ndarjes së medaljeve.

30 Tetor 2018

Ish-ministri izraelit i Komunikimeve Ayoob Kara gjithashtu mori pjesë në konferencën e telekomunikimeve të mbajtur në Dubai më 30 tetor 2018 dhe mbajti një fjalim.

Korrik 2019

Yisrael Katz, ish-ministri izraelit i Punëve të Jashtme dhe Inteligjencës, vizitoi Abu Dhabin në korrik 2019 për të marrë pjesë në konferencën mjedisore të organizuar nga Kombet e Bashkuara.

Qeveria e EBA-së gjithashtu ftoi kompanitë izraelite në Expo 2020 në Dubai.

20 gusht 2019

Gazeta Haaretz, në një raport të 20 gushtit 2019, pohoi se Izraeli dhe administrata e Abu Dhabit kishin bërë një bashkëpunim të madh prej 3 miliardë dollarësh për pajisje me mjete moderne të inteligjencës, përfshirë aeroplanë spiunë.

10 prill 2020

EBA dërgoi sistemet e sofistikuara të mbrojtjes ajrore që blenë nga Izraeli për të mbështetur Haftarin në Libi, sipas një lajmi të publikuar më 10 prill në gazetën Al-Araby al-Jadeed me qendër në Londër.

20 maj 2020

Etihad Airways, në pronësi të EBA-së, nisi fluturimin e parë për në Izrael për të ofruar pajisje mjekësore të dërguara në mbështetje të luftës së Palestinës kundër COVID-19.

6 qershor 2020

Si rezultat i afrimit ndërmjet EBA-së dhe Izraelit vitet e fundit, afro 3.000 hebrenj nga vende të ndryshme krijuan “Komunitetin Hebraik të Emirateve të Bashkuara Arabe” dhe hapën një llogari zyrtare në Twitter.

Një llogari zyrtare ishte hapur në Twitter në maj e quajtur “Jewish Community of the UAE”.

10 qershor 2020

Etihad Airways nisi një fluturim të dytë të drejtpërdrejtë drejt Izraelit, me pretendimin e dërgimit të furnizimeve mjekësore në Palestinë.

16 qershor 2020

Anwar Gargash, ministri i Shtetit i EBA-së për Punë të Jashtme, në një konferencë në internet të organizuar nga Komiteti Hebre Amerikan (AJC) tha se “EBA mendon se mbajtja hapur e kanaleve të komunikimit me Izraelin do të prodhojë rezultate më të mira për të dy vendet”.

25 qershor 2020

Kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu njoftoi se do të bashkëpunojë me EBA-në, me të cilin vendi i tij nuk kishte marrëdhënie diplomatike, në luftën kundër koronavirusit të ri (COVID-19).

26 qershor 2020

EBA dërgoi 100.000 sete diagnostikuese në Izrael në kuadër të bashkëpunimit në luftën kundër COVID-19.

Në një lajm në gazetën “Yediot Ahranot” të Izraelit më 26 qershor, thuhej se një aeroplan i EBA-së me 100.000 sete diagnostikuese zbarkoi në Tel Aviv më 26 mars.

EBA njoftoi se me Izraelin është nisur një projekt i përbashkët brenda fushëveprimit të luftës kundër COVID-19.

Në një deklaratë në agjencinë zyrtare të lajmeve EBA-së WAM thuhej se “dy kompani të sektorit privat me bazë në EBA kanë nisur disa projekte me dy kompani izraelite në fushën e mjekësisë në kuadër të luftës kundër COVID-19”.

3 korrik 2020

Firma e inteligjencës artificiale G42 nga EBA nënshkroi marrëveshje me dy kompani të industrisë së mbrojtjes nga Izraeli.

Siç u njoftua, dy kompanitë nga Izraeli arritën marrëveshje me kompaninë e EBA-së G42 për të zhvilluar zgjidhje teknologjike në luftën kundër COVID-19.

10 gusht 2020

Një familje hebreje jemenase u takua 15 vjet më vonë në EBA, e cila ka zhvilluar marrëdhënie të mira me Izraelin. EBA i dha nënshtetësi familjes nga Jemeni.