Kroaci, shënohet 33-vjetori i masakrës së Vukovarit

Me ceremoninë e mbajtur në 33-vjetorin e masakrës u përkujtuan 2.717 personat e vrarë nga Ushtria Popullore Jugosllave (JNA) dhe njësitë paraushtarake serbe në Vukovar në lindje të Kroacisë në vitin 1991, raporton Anadolu.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq si dhe shumë zyrtarë shtetërorë dhe mijëra qytetarë, morën pjesë në ceremonitë përkujtimore në Vukovar, i cili ishte nën rrethim dhe ku 2.717 persona u vranë në luftën që filloi pasi Kroacia shpalli pavarësinë nga ish-Jugosllavia në vitin 1991.

Në fjalën e tij në zonën e ceremonisë, kryeministri kroat Plenkoviq tha se kanë kaluar 33 vjet nga vuajtjet në Vukovar dhe se Vukovari është simbol i rëndësishëm në mbrojtjen e vendit.

Kryeparlamentari kroat, Gordan Jandrokoviq, i cili mori pjesë në ceremoni, tha se sot është një ditë që duhet të mbahet mend përgjithmonë dhe shprehu respektin e tij për ata që dhanë jetën për atdheun e tyre.

– Çfarë ndodhi në Vukovar?

Përplasjet më të mëdha dhe më të përgjakshme në luftë, e cila filloi pasi Kroacia shpalli pavarësinë e saj nga Jugosllavia në qershor 1991, u zhvilluan në Vukovar.

Ushtarët e APJ-së dhe njësitë paraushtarake serbe rrethuan Vukovarin për 87 ditë. Qyteti, ku disa ditë ranë më shumë se 11 mijë bomba, ra në duart e forcave serbe më 18 nëntor 1991.

Ndërsa pushtimi serb, i cili filloi pas rrethimit, vazhdoi deri më 15 janar 1998, ndaj të plagosurve dhe punonjësve në Spitalin e Vukovarit u kryen krime të ndryshme lufte.

Sipas të dhënave më të fundit të Spitalit të Vukovarit, në qytet kanë humbur jetën 2.717 persona, në kampet e përqendrimit janë dërguar rreth 7 mijë persona, ndërsa nga vendi janë dëbuar rreth 22 mijë civilë joserbë, shumica e të cilëve ishin kroatë.

Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) në Hagë të Holandës dënoi ish-komandantin e JNA-së, Mile Mërkshiq me 20 vjet burg dhe Veselin Shljivançanin me 10 vjet burg për masakrën në Vukovar.