Ballina Lajmet Kroaci, pyjet në flakë. Zjarret gjatë gjithë bregdetit (Video)

Kroaci, pyjet në flakë. Zjarret gjatë gjithë bregdetit (Video)

Zjarret pyjore që përfshinë gjatë fundjavës disa pjesë të bregdetit kroat e atij malazez, tani po i afrohen rrezikshëm qyteteve të mëdha, duke detyruar disa prej banorëve të braktisin shtëpitë e tyre.

Zona të tëra u mbuluan mbrëmjen e së hënës nga një tym i zi i dendur, ndërsa flakët vazhdojnë përhapjen, të ushqyera nga erërat e forta. Një prej qyteteve më të famshme kroate të kërcënuara prej tyre është ai i Splitit.

Në Malin e Zi, përpos Herceg Novit dhe Tivarit, zjarret kanë gllabëruar tashmë disa rajone periferike të kryeqytetit Podgoricë dhe ato të qytetit qendror Nikshiç.

Mjaft problematike paraqitet situata për një sërë fshatrash përreth malit Mosor, në jug të Splitit. Të tërbuara, gjuhët e flakëve janë përhapur pa fre deri në Zrnovica, ku ndodhet dhe një bazë ushtarake me depo raketash.

Mbrëmjen e një dite më parë, zjarret hynë në qytet duke u afruar deri në varrezën e Lovrinacit e janë shtrirë deri në një vendgrumbullimi të mbeturinave e makinave të vjetra.

Kjo bart në vetëvete rrezikun e përhapjes së gazeve helmuese, ndaj dhe autoritetet i kanë paralajmëruar banorët e Splitit të mos dalin nga shtëpitë, të mbyllin dritaret e nëse ekziston mundësia, ta lënë ajrin të hyjë vetëm përmes aparateve të filtrimit.

Pjesë të tëra të qytetit kanë mbetur pa ujë të pijshëm dhe energji elektrike. Një vdekje është raportuar deri tani, ndonëse nuk është ende e qartë nëse bëhet fjalë për një atak kardiak apo mbytje nga tymi.

Kryeministri Andrej Plenkoviç nuk pati zgjidhje tjetër veçse të pranonte se situata është e rëndë e nëse vazhdon kështu, vendi mund të detyrohet të kërkojë ndihmën e partnerëve të tij europianë.

Në Malin e Zi ndërkohë, më dramatike gjendja paraqitet në Tivar dhe gadishullin Lustica, ku qindra zjarrfikës dhe personel ushtarak kanë luftuar përgjatë gjithës natës me flakët për t’i mbajtur ato larg zonave të banuara.

Exit mobile version