Namazi i Kurban Bajramit në Xhaminë e Zagrebit u fal në hapësirat e xhamisë por shumica e besimtarëve, për shkak të masave epidemiologjike u zhvendosën në oborrin e xhamisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Namazit në xhaminë e Zagrebit i priu imami Hafiz Aziz ef. Alili ndërsa hutben e Kurban Bajramit e mbajti Myftiu Aziz ef. Hasanoviç, i cili theksoi rëndësinë e simbolikës së sakrificës së kurbanit në forcimin e gatishmërisë për sakrificë si dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe ndërfqinjësore.
“Misioni i besimtarëve në këtë botë është të ndihmojnë njerëzit, ata në nevojë. Kurbani drejtpërdrejt e zhvillon atë ndjenjë të sakrificës për tjetrin”, tha Myftiu Hasanoviç në hutben e tij.
Ai u bëri thirrje besimtarëve të solidarizohen me 11 për qind të popullsisë së botës që vuan nga uria, me ata që u prekën nga humbja e pronës në përmbytjet e fundit në Evropë dhe me familjet e viktimave.
“Është e papërgjegjshme të refuzosh të vaksinohesh dhe të rrezikosh veten dhe të tjerët, por edhe të rrezikosh funksionimin normal të komunitetit dhe shoqërisë, siç është e papërgjegjshme të injorosh ankesat e profesionit për të ruajtur mjedisin që ndikon drejtpërdrejt në ndryshimin e klimës. Shkenca dhe profesioni duhet të vlerësohen dhe respektohen”, tha Myftiu Hasanoviç.
Ai ua rikujtoi besimtarëve se së shpejti në Kroaci do të zhvillohet regjistrimi i popullsisë dhe u bëri thirri që t’i përgjigjen dhe të kontribuojnë në plotësinë e identitetit të tyre.
Namazi i Kurban Bajramit nga xhamia e Zagrebit u transmetua drejtpërdrejt në faqen e internetit të Bashkësisë Islame.
Namazi qendror i Kurban Bajramit u fal në xhaminë e Rijekës ndërsa u transmetua drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kroacisë. Faljen e namazit e drejtoi Myftiu i Meshihatit të Bashkësisë Islame në Kroaci, Aziz ef. Hasanoviç. /aa