Pas ngjarjes tragjike në shkollën fillore “Preçko” katër ditë më parë, ku një nxënës mbeti i vrarë, ndërsa një mësuese dhe disa nxënës u plagosën, tre sindikata të arsimit mblodhën disa mijëra pjesëmarrës në një marshim nëpër qendrën e Zagrebit, nën sloganin “Për një shkollë të sigurt”, raporton Anadolu.
Sindikata e Arsimtarëve, Sindikata “Preporod” (Rilindja) dhe Sindikata e Pavarur e Punonjësve të Shkollave të Mesme janë organizatorë të marshimit të madh “Për një shkollë të sigurt” në të cilin qytetarë të shumtë me fenerë kanë ecur nëpër qendër të qytetit për të theksuar rëndësinë e sigurisë në shkolla pas ngjarjes tragjike të së premtes.
“Ne duam të jemi dritë, e jo të mbajmë qirinj!”, “Kur një nënë qan, të gjitha nënat qajnë”, “Na morët gjithçka, nuk do t’ju japim fëmijët tuaj”, “Sulmi ndaj jush është terrorizëm, ndërsa sulmi ndaj fëmijëve është incident!”, ishin disa nga pankartat që u mbajtën së bashku me fenerët me ngjyra të bardha e të kuqe.
Marshime të ngjashme u mbajtën edhe në qytete të tjera kroate për të nderuar ndënësin e vdekur dhe të plagosurit në sulmin tragjik, si dhe për të dënuar të gjitha format e dhunën në shkolla.
Të premten e kaluar, një shtetas kroat 19-vjeçar, banues në lagjen “Preçko” në Zagreb, një person i cili po trajtohej për probleme mendore, ka sulmuar një mësuese dhe disa fëmijë që ndiqnin mësimet në shkollën fillore. Një nxënës 7-vjeçar i klasës së parë iu nënshtrua plagëve të marra, ndërsa një mësuese 62-vjeçar dhe disa nxënës mbetën të plagosur, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.