Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka njoftuar se afati i fundit për pagesën e faturave të mbeturinave është 1 prilli.
Kjo kompani ka paralajmëruar se pas kësaj date, të gjithë ata që nuk kryejnë obligimet do të procedohen te përmbaruesi privat.
“Për të shmangur procedimin tek Përmbaruesit Privat, ju ftojmë të kryeni pagesat e mbetura brenda këtij afati. Pagesën mund ta realizoni lehtësisht përmes: Platformës eKosova – me letërnjoftim për amvisëri dhe numër biznesi për biznese, zyrave tona të pagesës në të gjitha njësitë operative Inkasantëve tanë në terren”, thuhet në njoftim.
Muajin e kular Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj kompanisë “Pastrimi” për atë që e ka kualifikuar si sabotim nga ndërmarrja, për të grumbulluar mbeturinat.
Polemikat për bërllokun kanë marrë intensitet në fillim të shkurtit.
Më 5 shkurt, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se qytetarët nuk janë të obliguar t’i paguajnë faturat e lëshuara nga ndërmarrja “Pastrimi”, për muajin janar.
Në fund të dhjetorit, asambleja komunale me inicimin e PDK-së dhe me ndihmën e LVV-së, kanë votuar plotësimndryshimin për rregulloren e re për mbeturina. Nëpërmjet ndryshimeve, inkasimi i faturave për kryeqytetasit bëhet nga KRM “Pastrimi” dhe jo nga Komuna e Prishtinës.
Edhe pse Ministria e Mjedisit e pati cilësuar rregulloren e ndryshuar në harmoni me ligjin për mbeturinat, në shenjë pakënaqësie ekzekutivi i komunës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin, por gjykata ende nuk ka marrë ndonjë vendim.
Pavarësisht kësaj, Komuna pati dalë me njoftim, në të cilin thuhet se qytetarët, tash faturat duhet t’i paguajnë në komunë e jo në KRM “Pastrimi”.