Arrihet Marreveshja! Pas 3 orë e 20 minuta kryeministri Edi Rama dhe kryetari i PD-se Lulzim Basha kanë dalë bashkë nga kryesia e Kuvendit ku kishin zhvilluar një takim kokë më kokë duke deklaruar se kishin arritur marrëveshjen. Ajo çka dihet është se kjo marrëveshje bazohet mbi paketën McAllister+ dhe se gjate orëve të së enjtes (18 maj 2019) do të detajohet.
TIRANE- Në orën 1 e 15 të mëngjesit ata dolën të lodhur por me një deklaratë që i qartësoi të gjithë, të dy kishin rënë dakord 100% me paketën McAllister plus …
Ajo që pritej nga ndërkombëtarët por që e paimagjinueshme për politikën shqiptare, ishte ajo e kryeministrit Rama i cili për herë të parë ndau të njëtin qëndrim me kundërshtarin e tij politik Lulzim Basha duke thënë se ishte 100% dakord me atë që ai kishte deklaruar duke u ndarë me një shtrngim duarsh të pazakontë dhe të tipit miqësor por pa e parë njeri tjetrin në sy.
Lulzim Basha: Kemi një marrëveshje bazuar në paketën Mc Allister plus të propozuar nga SHBA. Marrëveshja do të detajohet në 24 orët e ardhshme. Vetëm pas saj do të kemi detajim publik të marrëveshjes.
Por kur do të jetë data e zgjedhjeve?
Rama përgjigjet: Për sa më takon mua më lejoni të jem dakord 100 % me kreun e opozitës
As Rama as Basha nuk kanë pranuar të zbardhin pikat e marrëveshjes të cilat pritet të përmblidhen sot në një dokument që mesaduket do të marrë edhe firmën e të gjitha partive .
Pasi u siguruan për këtë dakordësi kreu demokrat Basha shkoi fill e në çadrën e protestës ku bashkë me lajmin e mirë tha se çadra e ngritur që nga 18 shkurti do të qëndrojë edhe 24 orët e ardhshme derisa të zbardhet marraveshja që sipas tij garanton zgjedhje të lira e të ndeshme
Basha: E pamendueshmja e tre muajve më parë sot është realitet. Nesër nisim përgatitjet për tu dhënë shqiptarëve, zgjedhje të lira e të ndershme. Kemi një marrëveshje bazuar në paketën McAllister+ të propozuar nga SHBA, marrëveshja do të detajohet në 24 orët e ardhshme dhe vetëm pas detajimit do të kemi një komunikim publik të gjithë detajeve të marrëveshjes.
Po çadra?– Basha dha dhe një sqarim: Çadra nuk mbyllet sot, nesër me zbardhjen e pikave të marrëveshjes.
Rama dhe Basha nisën takimin rreth orës 21:00 në kryesinë e kuvendit duke zgjedhur të rikthehen në të njëtin vend ku ishin takuar më parë me praninë e krerëve të partive të tjera parlamentare dhe ku i zoti i shtëpisë kryetari i Kuvendit Ilir Meta nuk ishte i pranishëm.
Burimet bën me dije se të dy ishin ulur fillimisht në të njëtën sallë ku u zhvillua takimi i mëparshëm e më pas kanë vendosur të spostohen në sallën ku dikur bëheshin mbledhjet e grupit parlamentar të PD kur kjo ishte në pushtet.
Nuk dihet pse ky spostim, por gazetarët e pranishëm thanë se ndoshta për shkak të kamerave që ndodheshin në sallën e byrosë . Asnjëri nga të dy nuk ka komunikuar me faktorë jashtë atij takimi dhe madje mësohet se kanë konsumuar dy kafe së bashku, çka tregon se biseda ka shkuar e qetë.
Edhe pse paketa Mcallister plus parashikon 16 korrikun si datën e mbajtjes së zgjedhjeve asnjë nga palët nuk e ka konfirmuar këtë datë.