Bashkimi Europian duhet të vendosë nëse është gati të financojë ngritjen e infrastrukturës për vende si Polonia dhe Lituania, me qëllim mbrojtjen e kufijve nga “sulmet hibride” të Bjellorusisë.
Kështu deklaroi të mërkurën, gjatë një vizite në Varshavë, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, kur u pyet lidhur me krizën migratore në kufirin që ndan Poloninë dhe Bjellorusinë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin polak Mateusz Morawiecki, Michel tha se shpresonte që BE-ja të merrte një vendim sa më shpejt të ishte e mundur.
“Ne po e diskutojmë çështjen e financimit nga Bashkimi Europian të infrastrukturës fizike dhe mendojmë se ajo do të jetë e nevojshme për të treguar kapacitetet e Unionit për të ofruar solidaritet ndaj vendeve që janë në vijën e parë të mbrojtjes së kufijve të tyre, që janë gjithashtu kufijtë e BE-së,” – tha kreu i KE-së.
Nga ana e tij, kryeministri Morawiecki deklaroi se BE duhet të bllokojë fluturimet nga Lindja e Mesme drejt Bjellorusisë për të ndalur fluksin e emigrantëve që janë mbledhur në kufijtë e jashtëm të Unionit.
Disa mijëra emigrantë janë bllokuar në Bjellorusi, në përpjekje për të kaluar kufirin polak, që ruhet nga gardhe me tela me gjemba dhe trupa ushtarake polake.
Komisioni Europian deklaroi të mërkurën se BE mund të financojë ngritjen e strukturave kufitare, por jo të gardheve me tela me gjemba.
Ndërkohë, po të mërkurën, dy avionë luftarakë rusë, të pajisur me kapacitete bërthamore, fluturuan në hapësirën ajrore bjelloruse.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se fluturimi ishte një test për funksionimin e mbrojtjes ajrore të dy vendeve. Ndërsa për Perëndimin, prania e dy avionëve ishte një presion i hapur i Rusisë. /euronews