Bullgaria ka dërguar rreth 350 ushtarë në kufi me Turqinë të hënën (1 nëntor) për të ndihmuar forcat policore që të përballen me fluksin në rritje të migrantëve, njoftoi ministri i Mbrojtjes i Bullgarisë, Georgi Panajotov.
“Ushtarët arritën të hënen në kufirin bullgaro-turk për të mbështetur policinë kufitare”, tha ai për kanalin privat BTV.
Gjatë këtij viti më shumë se 6.500 njerëz kanë kaluar në mënyrë joligjore kufirin mes Turqisë dhe Bullgarisë. Shifra është trefish më e lartë se periudha e njëjtë e vitit 2020.
Bullgaria është një nga rrugët kryesore të cilën migrantët nga Lindja e Mesme e shfrytëzojnë për të hyrë në Bashkimin Evropian. Bullgaria ka ndërtuar një gardh me gjemba në kufirin me Turqinë, por ai është pjesërisht i dëmtuar.
Gjatësia e kufirit mes dy vendeve është 259 kilometra.
Në muajin gusht Parlamenti i Bullgarisë pati miratuar dërgimin e 400 deri 700 ushtarëve në kufi me Greqinë dhe Turqinë. /rel