Ministri i Energjisë i Australisë, Chris Bowen, u ka kërkuar familjeve në Uellsin e Ri Jugor – një shtet që përfshin qytetin më të madh të vendit Sydneyn – që të fikin dritat përballë një krize energjie, shkruan BBC.
Chris Bowen thotë se njerëzit nuk duhet të përdorin energji elektrike për dy orë çdo mbrëmje nëse e kanë të mundur.
Megjithatë, ai shtoi se ishte i sigurt se ndërprerjet e energjisë elektrike mund të shmangeshin.
Thirrja vjen pasi tregu kryesor me shumicë i energjisë elektrike në Australi u pezullua për shkak të rritjes së çmimeve.
Bowen u kërkoi njerëzve që jetojnë në Uellsin e Ri Jugor që të ruajnë sa më shumë energji të jetë e mundur.
“Nëse keni një zgjedhje për gjërat që janë me energji elektrike, mos i përdorni ato nga ora 6 deri në 8 [në mbrëmje]”, ka thënë ai gjatë një konference televizive për media në Canberra. /koha