Kriza e ujit në Rafah përkeqëson jetën për palestinezët e zhvendosur

Dhjetëra palestinezë të zhvendosur në qytetin Rafah, në pjesën jugore të Rripit të Gazës, qëndrojnë në radhë të gjata për orë të tëra për të siguruar ujë të pijshëm, ndërkohë që lufta shkatërruese izraelite vazhdon që nga 7 tetori i vitit të kaluar.

Sulmet izraelite kanë dëmtuar objektet dhe kanë shkaktuar mungesë të karburantit në qytetin Rafah, i cili ndodhet në kufirin e Rripit të Gazës me Egjiptin.

Popullsia e këtij qyteti, ku palestinezët kërkojnë strehim, është rritur në 1,5 milion, por pa energji elektrike banorët po përballen me kushte të rënda.

Palestinezët e zhvendosur po përjetojnë një krizë të ujit që përkeqëson vuajtjet e tyre gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

– Shtypja ndaj palestinezëve

Ummu Ala, një grua palestineze e zhvendosur në Rafah, duke folur për Anadolu shprehu zhgënjimin e saj me kushtet e vështira të jetesës të shkaktuara nga sulmet izraelite, duke i përshkruar vuajtjet si “përtej imagjinatës”.

Ala tha se mungesa e ujit në qytetin Rafah ka përkeqësuar vuajtjet e palestinezëve të zhvendosur në një “masë të papërshkrueshme”.

Ajo shprehu habi për heshtjen e botës ndaj krimeve të luftës dhe gjenocidit të kryer kundër palestinezëve në Rripin e Gazës, përveç ndaj krizës së ujit dhe ushqimit.

“Edhe uji, nëse është i disponueshëm, është i ndotur dhe i papërdorshëm për t’u pirë dhe përmban mikrobe dhe shumë papastërti. Mjaft me padrejtësi. Ne nuk flemë, as hamë apo pimë normalisht. Nuk dimë asnjë kuptim të jetës dhe vuajtjet tona po përkeqësohen çdo ditë”, tha gruaja palestineze.

– Mungesa e ujit çon në mangësi higjienike

Umm Magdy Salem, një grua tjetër palestineze, tha për Anadolu se vuajtjet nuk dallojnë nga vuajtjet e saj të mëparshme me krizën e mungesës së ujit.

“Ne po vuajmë nga një mungesë akute e ujit”, theksoi ajo.

Salim shpjegon luftën që bënë për të marrë ujë të pijshëm, duke pritur me orë të tëra në radhë të gjatë vetëm për një enë të vetme.

“Uji për përdorime të tjera, si për dush dhe larje të rrobave, na arin vetëm një herë në 10 ditë përmes linjave komunale”, tha ajo.

Salim theksoi se mungesa e ujit çon në mangësi higjienike, në këtë mënyrë duke shtuar sëmundjet.

Ajo po ashtu theksoi përkeqësimin e situatës humanitare në Rripin e Gazës, duke përmendur mungesën e nevojave si ushqimi, mielli dhe sheqeri.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.

Rreth 32 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Gaza dhe rreth 74.200 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave themelore.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes një bllokade të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.