Kriza e COVID-19 në Evropë, shtyhet takimi Hoti – Vuçiq në Bruksel

Takimi i paraparë për të hënën mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është shtyrë.

Lajmin e ka bërë të ditur i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Shkaku i kujdesit lidhur me COVID-19, takimi në kuadër të dialogut, i caktuar për të hënën do të shtyhet”, ka bërë të ditur Lajcak përmes Twitter.https://platform.twitter.com/embed/index.html?creatorScreenName=lajminet&dnt=false&embedId=twitter-widget-0&frame=false&hideCard=false&hideThread=false&id=1309526078495559683&lang=en&origin=https%3A%2F%2Flajmi.net%2Fweb%2Ftweet-button&siteScreenName=lajminet&theme=light&widgetsVersion=219d021%3A1598982042171&width=550px

Për ftesën nga Brukseli për takimi e së hënës kishte folur edhe dje këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Xhavit Beqiri për lajmi.net.

Ai e kishte konfirmuar ftesën duke mos dhënë detaje nëse qeveria e Kosovës ka vendosur të marrë ose jo pjesë në këtë takim.

Një ditë më herët, Lajçak ka konfirmuar se të hënën do të zhvillohet takimi midis shefave të dy ekipeve negociatore, Skënder Hyseni dhe Marko Gjuriq.

Ai ka thënë se temë e diskutimeve do të jenë pretendimet financiare dhe ato pronësore midis dy vendeve.

Lajçak nuk dha detaje se për sa kohë është shtyrë takimi i radhës.

Disa shtete të Evropës, përfshirë Belgjikën, janë duke u përballur me rritje të numrit të rasteve me koronavirus.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Procesi është zhvilluar gjatë gjithë kohës me ndërmjetësimin e BE-së dhe me mbështetjen e SHBA-së.

Këtë muaj në Uashington, dy palët kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.