Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kritiku i zgjidhjes me dy shtete emërohet ambasador amerikan në Izrael

Kritiku i zgjidhjes me dy shtete emërohet ambasador amerikan në Izrael

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zgjedhur David Friedmanin për ambasador të ardhshëm të SHBA-së në Izrael.

Avokati 57-vjeçar kritikon fuqishëm synimin e kahmotshëm të SHBA-së për zgjidhje me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez.

Ai po ashtu mbështet ndërtimet hebreje në Bregun e pushtuar Perëndimor, të cilat edhe sipas administratës Obama, janë pengesë për paqe.

“Administrata Trump nuk do t’i bëjë kurrë presion Izrelit për të bërë zgjidhje me dy shtete apo ndonjë zgjidhje tjetër që është kundër dëshirave të popullit izraelit”, ka thënë Friedman më 26 tetor, në një tubim parazgjedhor të Trumpit.

Një grup liberal hebre e ka kundërshtuar emërimin e tij, ndërsa konservatorët e kanë mirëpritur.

Friedman tha se do të punojë “nga ambasada amerikane në kryeqytetin e Izraelit, Jerusalem”.

Kombet e Bashkuara nuk e njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe ambasada amerikane, me dekada, ndodhet në Tel Aviv.

Statusi i Jerusalemit është një nga çështjet më të diskutueshme mes Izraelit dhe palestinezëve. /RFE/

Exit mobile version