Të njëanshme dhe diskriminuese po vlerësohen reagimet e Bashkimit Evropian karshi Kosovës në veprimet e saj rreth dialogut Kosovë-Serbi. Sipas njohësve të çështjeve politike, të padrejta janë edhe kritikat që janë shprehur pas lirimit nga detyra të ekipit menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Me gjithë reagimin ndërkombëtar, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar sërish se nuk e meriton të vazhdojë punën një ekipi menaxhues që punon për interesin e Serbisë.
Reagimin kritik ndërkombëtar ndaj vendimit të Qeverisë për lirimin nga detyra të ekipit menaxhues e kanë parë si të padrejtë dhe diskriminues njohës të rrethanave politike e juridike në Kosovë.
Qeveria e liroi nga detyra ekipin menaxhues pas prezantimit të draftit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin e cilësoi si fundamentalisht të papajtueshëm me Kushtetutën e Kosovës.
Por, ky veprim i Qeverisë, sipas Bashkimit Evropian e ambasadorëve të huaj në Kosovë, u vlerësua se është në kundërshtim me frymën e marrëveshjeve të Brukselit.
Mirëpo, reagimet e ndërkombëtarëve, njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, i ka konsideruar të dëmshme e të njëanshme.
“Në mënyrë joparimore, diskriminuese dhe po them edhe fyese, thjesht Kosovën vazhdimisht përpiqen ta korrigjojnë, ta disiplinojnë edhe për raste dhe çështje të cilat nuk e kanë atë rëndësi ose të paktën e kanë të njëjtën rëndësi, sikurse reagimet (shkeljet) e Serbisë, të cilat janë flagrante në aspektin e moszbatimit të të gjitha marrëveshjeve të të gjitha fazave”, ka deklaruar Baraliu.
Edhe profesori universitar, Milazim Krasniqi, e ka parë si veprim të duhur shpërndarjen e ekipit menaxhues, porse ka theksuar se një ekip tjetër i tillë duhet të jetë në koordinim me Qeverinë e Kosovës.
“Ai draft nuk duhet që të jetë bazë për diskutime dhe duhet që të formohet një komision tjetër, i cili do të duhet që të formohet me njerëz që në fakt e pranojnë Qeverinë e Kosovës. Sepse ky komision, ekipi menaxhues nuk kanë pranuar që të komunikojnë as me telefon me ministrin Elbert Krasniqi, prandaj ka shumë punë në këtë aspekt”, është shprehur Krasniqi.
Me gjithë kritikat e ndërkombëtarëve, kryeparlamentari Glauk Konjufca është shprehur se nuk duhet të vazhdojë punën një ekip menaxhues që përgatit dokumente në përputhje me interesat e Serbisë.
“Prezantuan një Asociacion i cili është ‘Republikë serbe’ në Kosovë dhe shumë mirë që u shkarkuan”, ka deklaruar ai.
Mirëpo, karshi kritikës perëndimore Qeveria e Kosovës nuk ka qenë e zëshme për çka Baraliu ka thënë se po tregohet inferiore.
“Kjo Qeveri, sikur edhe ato para saj, po tregohet inferiore dhe servile mbase ndaj bashkësisë ndërkombëtare, e cila po vazhdon me avazin e vjetër, me politika të gabuara ndaj tyre dhe ndaj Kosovës dhe prandaj do të duhej zëshëm të reagonin këta. Më shumë se kaq do të duhej edhe opozita e cila për çështje tepër triviale herë-herë reagon me vend e pa vend, këtu do të duhej zëshëm”, ka deklaruar Baraliu.
KOHA ka provuar të marrë një përgjigje nga zyra e kryeministrit dhe nga ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Nga zyra e kryeministrit kanë thënë se vendimi i ekzekutivit për ekipin menaxhues nuk është në kundërshtim me marrëveshjen.
Kanë insistuar se ekipi menaxhues nuk ka më asnjë rol pas prezantimit të draftit të statutit.