Krishtlindjet e para pas armëpushimit në Liban, qytetarët e krishterë me shpresë për të ardhmen

Të krishterët, shtëpitë dhe kishat e të cilëve u shkatërruan në sulmet izraelite në Liban, shpresojnë për të ardhmen në Krishtlindjet e para që do të kalojnë gjatë armëpushimit, pavarësisht luftës dhe shkatërrimit, raporton Anadolu.

Kisha greko-katolike e Shën Gjergjit në vendbanimin Dirgiyye në qytetin Sur në jug të Libanit është shkatërruar pothuajse tërësisht për shkak të sulmeve ajrore izraelite.

Kryetari i vendbanimit, Milad Elias Ilya në deklaratën për Anadolu tha: “Në ditët e sotme, të gjithë zakonisht festojnë Krishtlindjet me familjet e tyre. Ne i binim kambanave në kishë në orën 12 dhe bënim një shërbesë. Megjithatë, kisha tani është e shembur. Këtu kemi një sallë të vogël dhe e improvizuam si kishë”.

Duke thënë se historia e kishës dhe e fshatit daton në vitet 1850, Ilya tha: “Me rritjen e fshatit, edhe kisha u zgjerua. Aktualisht kemi një bashkësi prej rreth një mijë njerëzish. Para së gjithash, ne duam ndihmë për rindërtimin e kishës. Ne kemi nevojë për njerëz me zemër të pastër që do të japin një dorë ndihme”.

Ai tha se jeta vëllazërore në rajon vazhdon. “Edhe pse kisha u shkatërrua, ne përsëri vendosëm pemën e Krishtlindjes në rrënojat e kishës. Kjo është një mënyrë për të treguar se ne jemi ende të lidhur me këtë tokë. Ne kemi jetuar këtu me fqinjët tanë për shekuj. Festojmë festat e njëri-tjetrit, vizitojmë njëri-tjetrin dhe ndajmë dhimbjen e njëri-tjetrit”, tha 82-vjeçari Ilya.

Ilya thotë se kisha është një nga simbolet e jetës së përbashkët në rajon. “Nëse kjo kishë nuk rindërtohet, ne nuk do të kemi kishë këtu. Nuk ka kishë tjetër nga këtu deri në Sur”.

Duke thënë se kisha ishte dëmtuar edhe në luftën e mëparshme, Ilya tha: “Këto janë Krishtlindjet e para që u shkatërrua kisha. Një pjesë e kishës u bombardua gjithashtu në vitin 1982, por ajo u rindërtua shpejt më pas. Tani është shkatërruar plotësisht”.

Sipas tij, rinovimet e fundit në kishë u bënë në vitin 2017 me ndihmën e banorëve të fshatit dhe se gjithçka u shkatërrua në sulmin izraelit.

– Është ndjenjë vërtet e vështirë të shohësh kishën në këtë situatë

Banorja vendase Meryem Habib al-Huri nuk mundi t’i mbajë lotët. “Është një ndjenjë vërtet e vështirë të shohësh kishën në këtë situatë, është një dhimbje në zemrat tona. Por, jam e sigurt që kisha do të rindërtohet. Shpresoj që këto Krishtlindje të jenë të mbara dhe paqja të vijë në të gjithë botën”, tha ajo.

Al-Huri tha se pema e Krishtlindjes në kishë përfaqëson shpresën dhe uroi për zhvillimin e Libanit. Duke kujtuar se në këtë rajon është dëmtuar rrjeti elektrik dhe linja e ujit, Al-Huri shtoi se për këtë arsye u detyruan të largoheshin nga vendi ku jetonin.

– “Ne nuk u larguam nga Rimeish për 15 muaj gjatë luftës”

Në vendbanimin Rimeish, ku të krishterët jetojnë brenda “Vijës së Kaltër”, që ndodhet në pikën zero të kufirit izraelit në jug të Libanit, njerëzit nuk i braktisën tokat e tyre pavarësisht luftës.

Kryebashkiaku i Rimeishit, Milad al-Alem në deklaratën për Anadolu tha se popullsia e Rimeishit është 6 mijë.

“Krishtlindja e këtij viti do të jetë e veçantë sepse u arrit armëpushim. Njerëzit do të ndajnë gëzimin e Krishtlindjeve. Nuk do të ketë zhurmë raketash dhe avionësh luftarakë si vitin e kaluar”, tha Al-Alem.

“Ne shënuam festën tonë të fundit nën tingujt e bombardimeve dhe të gjitha rreziqeve rreth nesh”, tha ai.

Duke uruar që Krishtlindjet të sillnin unitet në vendin e tij, Alem kërkoi që marrëveshja e armëpushimit me Izraelin të jetë e përhershme. “Populli nuk pranoi të largohej nga tokat e veta, sepse këto toka janë trashëgimi e të parëve tanë, veçanërisht pas vitit 1948, për të cilin kemi paguar çmimin. Prandaj, ne do të qëndrojmë të vendosur në tokat tona”, tha ai.

“Ne nuk pranojmë shpërngulje të detyruar. Të parët tanë nuk pranuan të largoheshin nga tokat e tyre, ata mbetën të vendosur në tokat e tyre pavarësisht gjithçkaje. Ne mësuam prej tyre”, tha Al-Alem.

Sipas tij, kjo është rezistenca e vërtetë. “Të jesh në gjendje të qëndrosh në tokën tënde pa vrasje, gjak e pa armë. Qëndresa do të thotë të mbrosh tokën, atdheun dhe identitetin tënd. Sot, nëse nuk ke tokë, atdhe dhe identitet, nuk ke asgjë”, u shpreh ai.

Krishtlindja, një nga festat më të vjetra në krishterim, festohet më 25 dhjetor nga protestantët, katolikët dhe disa të krishterë ortodoksë bazuar në Kalendarin Gregorian ndërsa më 7 janar nga të krishterët ortodoksë bazuar në Kalendarin Julian.