Thisse e përkrah idenë që kombet, në formën që i njohim, janë krijuar në shekullin e 19-të e në vazhdim. Ajo thotë se, pas krijimit të kombeve, gjithmonë kanë qëndruar synime gjeopolitike. Nga kjo nuk bën përjashtim as krijimi i kombeve në Ballkan. Sipas Thisse-s, qëllimi kryesor i krijimit të kombeve në Ballkan ishte largimi i sundimit të Perandorisë Osmane nga Europa Jugore.
Çelo HOXHA, Tiranë
Kombet janë shumë më të reja seç pretendojnë tekstet zyrtare të historive kombëtare, shkruan studiuesja franceze Anne Marie Thisse, në artikullin e saj “Inventing national identity” [Shpikja e identitetit kombëtar], botuar në periodiken Le Monde diplomatique, në kohën e luftës për çlirimin e Kosovës (qershor 1999). Sipas saj, asnjë komb në kuptimin modern, politik, nuk ka ekzistuar përpara revolucionit ideologjik që nisi në shekullin e 18-të dhe e transferoi fuqinë politike te “populli”. Që atëherë e në vazhdim, kombi shikohej si një komunitet i gjerë i bashkuar nga një lidhje që ndryshonte nga besnikëria ndaj të njëjtit monark dhe nga përkatësia e të njëjtit besim fetar ose gjendje shoqërore. Kombi nuk buronte më nga sunduesi. Për rrjedhojë, kombi ishte i pavarur nga të papriturat e dinastisë ose të historisë ushtarake. Ky koncept, thotë më tej Thisse, hapi rrugën e hyrjes në demokraci, por, për të pasur sukses, e ardhmja duhej justifikuar në raport me besnikërinë ndaj të shkuarës.
Studiuesja letrare dhe historiania kulturore Anne Marie Thisse ka shkruar gjerësisht për ideologjinë kombëtare dhe krijimin e kombeve. Libri i saj Krijimi i identiteteve kombëtare: Europa e shekujve XVII-XX, i botuar në Kosovë (Dukagjini, 2004), paraqet një përshkrim të detajuat për origjinën e ideologjisë nacionaliste të disa vendeve në Ballkan, përfshirë edhe nacionalizimin serb dhe grek.
Thisse e përkrah idenë që kombet, në formën që i njohim, janë krijuar në shekullin e 19-të e në vazhdim. Ajo thotë se, pas krijimit të kombeve, gjithmonë kanë qëndruar synime gjeopolitike. Nga kjo nuk bën përjashtim as krijimi i kombeve në Ballkan. Sipas Thisse-s, qëllimi kryesor i krijimit të kombeve në Ballkan ishte largimi i sundimit të Perandorisë Osmane nga Europa Jugore.
Ata që e njohin folklorin nacionalist serb gjejnë në këtë libër një thikë kirurgjikale që e çan tullumbacen ideologjike të miteve të sajuara. Në origjinë të ideologjisë nacionaliste serbe qëndron një emigrant serb në Vjenë, i arratisur nga Serbia pas pjesëmarrjes në një kryengritje serbe të shtypur nga trupat osmane (1813), i quajtur Vuk Stefanoviç Karaxhiq. Nga Enciklopedia Britanike, Karaxhiqi njihet si gjuhëtar dhe babai i studimeve të letërsisë folklorike serbe.
Karaxhiqi, me origjinë nga Mali i Zi, në Vjenë vendosi lidhje me dijetarë sllavistë dhe me shumë rëndësi rezultoi lidhja e tij me sllovenin Bartolome Kopitar. Kopitari, sipas Thisse, ishte ruajtës në Bibliotekën Perandorake në Vjenë. Sipas Enciklopedisë Britanike, ai ishte një “anëtar i administratës dhe studiues nga Sllovenia”. Ai e arsimoi Karaxhiqin, i cili kishte njëfarë arsimi, por si autodidakt, dhe i ngarkoi detyrën që t’i rindërtonte monumentet kombëtare serbe.
Karaxhiqi iu fut punës me zell dhe menjëherë (1814) e përgatiti një libër me titull Gramatikë serbe dhe një Antologji e këngëve popullore. Me sugjerimin e njërit prej vëllezërve Grim (Jakobit), Karaxhiqi përgatiti një Fjalor serbisht-gjermanisht-latinisht (1918). Ai botoi disa vëllime të këngëve folklorike serbe dhe e përktheu në serbisht Dhiatën e Re. Çështja më madhe për të cilën ai punoi me përkushtim ishte krijimi i një gjuhe të komunikimit dhe të kulturës për sllavët e jugut. Më 1824, Gramatika e Karaxhiqit u botua dhe u përkthye në gjermanisht nga Jacob Grim. Grimi, një vit më herët, e kishte prezantuar Karaxhiqin me Gëten, i cili nisi studimin e serbishtes dhe e botoi përkthimin e Mbledhjes së këngëve popullore, madje i nxiti bashkëkohësit të interesoheshin për to. Në atë periudhë në Francë botimi i këngëve ishte kthyer në sport. Më 1827, u botua një libër me titull Guzla, i cili u prezantua si përkthim këngësh popullore nga Ballkani, krijuar nga rapsodi i lashtë Hjacinthe Maglanoviq. Sipas atij pretendimi, këngët ishin mbledhur nga udhëtarë me prejardhje italiane. Ato këngë rezultuan me sukses, sepse u përkthyen në disa gjuhë të huaja. Shumë shpejt nisin dyshimet dhe mësohet se autori i këngëve nuk ishte frymëzuar nga ndjenjat atdhetare të banorëve të brigjeve dalmate, por nga një i ri francez, i quajtur Prosper Merime. Këngët mashtruese u përdorën nga autorë të ndryshëm të shquar si pjesë e folklorit sllav. Pushkini i përktheu disa këngë në rusisht, ndërsa Aleksandër Chodzko dhe Adam Mikieviç i përkthyen në polonisht. Më 1849 këngët e rapsodit të rremë u përdorën për frymëzimin e libretit të operës malazezët, shkruar nga d’Alboise dhe Nerval, me muzikë të Limnander-it.
Historia e krijimit të identitetit kombëtar grek është, pak a shumë, e njëjtë me historinë e identitetit serb. Europa ishte “e etur” t’i mblidhte, botonte dhe lexonte këngët popullore “të lashta” të disa popujve ballkanikë.
Shqiptarët, etni e spikatur brenda Perandorisë Osmane, nuk mbetën mbrapa popujve fqinjë, serbëve dhe grekëve. Pak a shumë në të njëjtën periudhë me përkthimin në serbisht u bë dhe përkthimi i Dhjatës së Re në shqip (1823). Pas përkthimit qëndronte “British and Foriegn Bible Society”, e cila ishte sponsorizuesja e përkthyesit Vangjel Meksi. I njëjti autor përgatiti edhe një libër me titull Drejtëshkrimi i gjuhës shqipe. Përhapja e këtyre librave nuk e pati fatin e atyre të autorëve serbë apo grekë. Edhe fakti që gjurmët e këtyre teksteve mund të kenë humbur nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi më shumë për ne sot është fakti që në atë periudhë shqiptarët e arsimuar mendonin njëlloj si bashkëkohësit e etnive të tjera ose që ishin nën ndikimin e ideve të njëjta, të sjella në rajon nga entitete perëndimore që maskoheshin si shoqata fetare, poetë etj. Pas tij, të tjerë autorë iu përkushtuan mbledhjes së këngëve popullore, krijimit të alfabetit shqip dhe kryen përkthime të teksteve fetare etj. Ndikimi i këtyre autorëve në krijimin e identitetit kombëtar është i padiskutueshëm. Secili ka ndikuar me pjesën e tij, ndërsa njohja e identitetit nga Fuqitë e Mëdha ka shkaqe që nuk vareshin prej atyre që ne i quajmë autorë të Rilindjes.
Një gjë është e sigurt – shqiptarët janë të fundit në radhën e spekulimit në krijimin e miteve. Në rastin e serbëve, për shembull, që u përdorën këngët e sajuara edhe pasi u bë i ditur autori real i tyre, tregon se Europa ishte e gatshme të gënjehej. Mjafton të kishte në dorë këngët “e lashta” që t’i përdorte si instrumente ideologjike në përmbushjen e qëllimeve të saj gjeostrategjike.
Shqiptarët mendoj se ngelën jashtë vëmendjes europiane, kjo për shkak të pozicionit të tyre gjeografik. Nëse Fuqitë e Mëdha e krijonin Greqinë, Rumaninë dhe Bullgarinë si shtete të pavarura, ato menjëherë e përcaktonin kufirin me Perandorinë Osmane, duke e përzënë atë nga Ballkani. Territoret shqiptare dhe shumë të tjera ishin në brendi të këtij kufiri dhe e kishin komoditetin, nga këndvështrimi europian, t’u kushtohej vëmendje me vonë. Fuqitë e Mëdha, sidomos britanikët, i bazonin politikat e tyre te interesat e ekonomike dhe, në rastin në fjalë, atyre u interesonte largimi i Perandorisë nga njëra anë e Mesdheut, për ta shtuar kështu ndikimin e tyre në qarkullimin detar. Në të njëjtën logjikë ka vepruar edhe BE-ja me anëtarësimin e vendeve ballkanike. Ajo e ka anëtarësuar tashmë Greqinë, Rumaninë dhe Bullgarinë dhe i ka lënë jashtë saj – politikisht – vende si Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, të cilat gjeografikisht janë më brenda BE-së se të tjerat. /revistashenja