Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ishte sot në Turqi ku mori pjesë në aktivitetin “Frymë për të Ardhmen, Frymë për Botën”.
Në kuadër të këtij programi në të gjithë Turqinë po mbillen 254 milionë fidanë, teksa sot Turqia u ndoq nga më shumë se 30 shtete.
Krifca takoi edhe presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, të cilit i shprehu “mirënjohjen dhe respektin për këtë politikë publike pa kufij, e cila ndikon në të mirën e të gjithë njerëzimit”.
“Konferenca e Kombeve të Bashkuara në Glasgow ritheksoi edhe njëherë se ndryshimet klimatike vijnë me zjarre, me thatësira, erozion e përmbytje, çka shkakton e kërcënon drejtpërdrejtë edhe bujqësinë si sektor jetik”, u shpreh Krifca në një reagim.
“Ne iu bashkuam kësaj iniciative me ftesë të ministrit të Bujqësisë dhe Pyjeve, Bekir Pakdemirli, duke konfirmuar angazhimin tonë për të bërë modestisht çfarë është e mundur, në këtë përpjekje të përbashkët, në interes të çdo vendi”, tha ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. /atsh