Ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Eduard Ndocaj është ndaluar mbrëmjen e djeshme nga policia, pasi ndaj tij ka ngritur kallëzim një shtetas italian dy ditë më parë.
Italiani ka bërë denoncim në Policinë e Lezhës, duke deklaruar se Eduard Ndocaj i ka vjedhur një shumë të konsiderueshme eurosh nëpërmjet mashtrimit në Itali. Paraprakisht flitet se bëhet fjalë për një shumë prej 78 mijë eurosh, përballë një tenderi që Ndocaj i ka premtuar italianit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, për shtrimin e një gazsjellësi në Shqipëri.
Menjëherë pas këtij njoftimi Ndocaj është ndaluar nga Policia në pikën kufitare të Portit të Durrësit më 9 tetor, ndërsa rezultonte i shpallur në kërkim prej datës 7 tetor.
Policia e Lezhës ka kryer veprimet në komisariat me ish-deputetin, dhe në përfundim të verifikimeve, është vendosur që Ndocaj të hetohet në gjendje të lirë, dhe dosja me materialet procedurale në ngarkim të tij të kalojë për hetim të mëtejshëm në Prokurori.
Njoftimi zyrtar i Policisë
Më datë 09.10.2017, në PKK Port, Durrës, u kap shtetasi në kërkim E.N, vjeç 42, banues në Manati Lezhë, pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit në Itali, i ka vjedhur një shtetasi italian nje shume eurosh.
Ne perfundim te veprimeve te kryera nga D.V.P Lezhe ndaj shtetasit E.N u referuan materialet ne Prokurori dhe ndiqet ne gjendje te lire per vepren penale parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal./Mesazhi/