Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, përshëndeti armëpushimin e ndërmjetësuar së fundmi në Liban midis Izraelit dhe Hezbollahut, duke u kërkuar palëve që të “respektojnë plotësisht dhe të zbatojnë me shpejtësi” angazhimet e tyre sipas marrëveshjes, raporton Anadolu.
“Sekretari i Përgjithshëm mirëpret shpalljen e një armëpushimi midis Izraelit dhe Libanit. Ai shpreson se kjo marrëveshje mund t’i japë fund dhunës, shkatërrimit dhe vuajtjes që kanë përjetuar njerëzit e të dy vendeve”, tha zëdhënësi i tij Stephane Dujarric.
“Sekretari i Përgjithshëm u kërkon palëve që të respektojnë plotësisht dhe të zbatojnë me shpejtësi të gjitha angazhimet e tyre të marra sipas kësaj marrëveshjeje”, shtoi ai.
Ai vuri në dukje se Koordinatorja e Posaçme e OKB-së për Libanin (UNSCOL) dhe Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban (UNIFIL) “janë gati” të mbështesin zbatimin e marrëveshjes.
Kreu i OKB-së u kërkoi gjithashtu palëve të “ndërmarrin hapa të menjëhershëm” drejt zbatimit të plotë të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Në një deklaratë të veçantë, Koordinatorja Speciale e OKB-së për Libanin, Jeanine Hennis-Plasschaert, përgëzoi palët që “shfrytëzuan mundësinë për të mbyllur këtë kapitull shkatërrues”.
“Kjo marrëveshje shënon pikën fillestare të një procesi kritik, të ankoruar në zbatimin e plotë të rezolutës 1701 (2006), për të rivendosur sigurinë që civilët në të dy anët e Linjës Blu e meritojnë”, tha ajo, duke shtuar:
“Punë e konsiderueshme qëndron para për të siguruar që marrëveshja të mbetet. Nuk kërkohet asgjë më pak se përkushtim i plotë dhe i palëkundur nga të dy palët”.
Mbrëmë, kabineti izraelit i sigurisë miratoi marrëveshjen për armëpushim me Libanin. Presidenti amerikan Joe Biden konfirmoi se dy palët janë dakorduar për marrëveshjen e cila hyri në fuqi në orën 4 sipas kohës lokale.
Sipas Marrëveshjes së armëpushimit, Biden tha se Forcat e Armatosura libaneze do të “dislokohen dhe të marrin kontrollin” e Libanit jugor gjatë 60 ditëve të ardhshme, periudhë gjatë së cilës “Izraeli do të tërheqë gradualisht forcat e tij të mbetura”.