Kreu i NATO-s, Rutte: Disa anëtarë duhet të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen

Mark Rutte

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump mund të bëjë presion më të madh për shpenzimet e mbrojtjes, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e tij për Agjencinë Gjermane të Lajmeve (DPA), Rutte foli mbi diskutimet se disa anëtarë të NATO-s si Gjermania kanë shpenzime relativisht të ulëta për mbrojtjen.

Ai tha se pret që presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump të ushtrojë presion mbi disa anëtarë të NATO-s që të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen. “Trump do të na kërkojë të bëjmë më shumë dhe ai ka të drejtë ta bëjë këtë. Ne duhet të bëjmë më shumë”, tha Rutte.

Kreu i NATO-s potencoi se aktualisht nuk e sheh rrezikun që Rusia të sulmojë territorin e Aleancës, por se është i shqetësuar për të ardhmen. “Nëse nuk i rrisim shpenzimet e mbrojtjes, do të kemi problem serioz brenda 4-5 viteve. Nuk duhet të kemi frikë tani, por unë jam i shqetësuar në planin afatgjatë”, tha Rutte.

Duke nënvizuar se duhet të forcojnë industrinë e mbrojtjes dhe të zgjerojnë prodhimin, Rutte tha: “Meqenëse ne nuk mund të prodhojmë pajisje të mjaftueshme ushtarake për t’u mbrojtur në afat të gjatë, duhet të krijohen linja dhe ndërrime shtesë prodhimi. Kemi ende kohë për t’u përgatitur për të parandaluar një luftë në territorin e NATO-s. Por, ne duhet të veprojmë tani”.

– Rutte vlerëson ndihmën e Gjermanisë për Ukrainën

Kreu i NATO-s, Rutte vlerësoi ndihmën e Gjermanisë për Ukrainën. “Gjermania u rendit e dyta pas SHBA-së për sa i përket mbështetjes ushtarake për Ukrainën, me 28 miliardë euro dhe 34 miliardë euro sipas disa llogaritjeve. Kjo është një shumë e madhe. Kjo është shumë përtej të tjerëve, përfshirë edhe ekonomitë e mëdha të Evropës”, tha ai.

Ai theksoi se Gjermania në politikën e saj për Ukrainën duhet të marrë parasysh pozicionin e saj dhe kërcënimet e sigurisë. “Nëse Ukraina humbet, ne do të detyrohemi të shpenzojmë shumë më tepër për mbrojtjen kundër kërcënimit rus”, tha Rutte.