Kreu i krimit të organizuar italian, Nocella arrestohet në Kolumbi

Gustavo Nocella

Kreu i grupit italian të krimit të organizuar, Gustavo Nocella i njohur si “Ermes” është arrestuar në Kolumbi për kontrabandë me kokainë, transmeton Anadolu.

Sipas mediave kolumbiane, Nocella u kap në lagjen El Poblado të qytetit Medelin të Kolumbisë pas 6 muajsh mbikëqyrje teknike.

Në deklaratën nga zyrtarët e policisë, raportohet se lideri mafioz Nocella kishte lidhje me organizata të ndryshme kriminale në Amerikën e Jugut dhe se ai koordinonte kontrabandën e kokainës në kontinent.

Mësohet se policia kolumbiane ka punuar në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe britanike për lokalizimin e Nocellës.

Sipas njoftimeve të mediave, Nocella jetonte në apartamentin e tij luksoz në El Poblado gjatë qëndrimit në Medelin dhe shkonte shpesh në qendrën tregtare.

Kapja e tij konsiderohet si një goditje e rëndë për trafikantët e drogës në Amerikën e Jugut.

Interpoli kishte lëshuar “njoftim të kuq” ndaj Nocellës për trafik droge.