Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tha se Ballkani Perëndimor është prioriteti strategjik i BE-së, raporton Anadolu Agency (AA).
Michel mbajti një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin e Malit të Zi Milo Gjukanoviq në Podgoricë, ku ai arriti për takime zyrtare.
Duke falënderuar Malin e Zi për “harmoninë” me BE-në për sa i përket vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, Michel tha: “Ne vazhdojmë të ushtrojmë presion mbi ekonominë ruse me gjashtë paketat e sanksioneve për të cilat është rënë dakord. Mali i Zi gjithashtu ka hapur dyert për emigrantët nga Ukraina”.
Ai theksoi se Mali i Zi ka bërë përparim të madh në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE.
“Ballkani Perëndimor është prioriteti strategjik i BE-së më shumë se kurrë më parë”, u shpreh zyrtari i lartë i BE-së.
Michel do të takohet edhe me kryeministrin Dritan Abazoviq në kuadër të vizitës së tij në Mal të Zi. /aa