Kreu i inteligjencës izraelite niset në SHBA lidhur me programin bërthamor të Iranit

David Barnea

Kreu i agjencisë së inteligjencës së jashtme izraelite “Mossad”, David Barnea do t’i përcjellë SHBA-së informacionet lidhur me programin bërthamor të Iranit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të “Yedioth Ahranot”, Barnea ka udhëtuar në Washington për të përcjellë informacionet lidhur me programin bërthamor të Iranit dhe kërkesën e Izraelit ndaj SHBA-së për ashpërsimin e sanksioneve kundër Teheranit.

Bëhet e ditur se avioni i Barnea-s është nisur drejt Washingtonit natën e së shtunës nga Tel Avivi.

Barnea, bashkëbiseduesve të tij amerikanë do t’u shpjegojë se “Irani në njërën anë vazhdon me shpejtësi të plotë programin bërthamor dhe në anën tjetër vazhdon të gënjejë botën duke marrë pjesë në negociatat në Vjenë”.

Ai do të përcjellë se Izraeli ashtu siç ka njoftuar më parë nuk do t‘i përmbahet ndonjë marrëveshjeje dhe se Tel Avivi do të vazhdojë përpjekjet e tij për të ndaluar programin bërthamor të Iranit.

Kreu i “Mossad”-it në një deklaratë më parë ka thënë se Irani nuk do të sigurojë armë bërthamore.

Në të njëjtën mënyrë edhe ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz do të zhvillojë të mërkurën një vizitë zyrtare në SHBA.

Qeveria izraelite teksa kundërshton negociatat dhe marrëveshjen për programin bërthamor të Iranit, ajo mbron idenë për sanksione më të rënda dhe ndërhyrje ushtarake ndaj Teheranit.

Javën e kaluar qeveria izraelite miratoi buxhetin shtesë për mbrojtjen në vlerë prej rreth 1.5 miliardë dollarë. Buxheti në fjalë u njoftua se do të përdoret për sistemet e armëve, raketa të teknologjisë së përparuar, sistemet e mbrojtjes ajrore, trajnime dhe stërvitje. Shtypi izraelit ka vlerësuar se buxheti në fjalë është ndarë si përgatitje për një konflikt të mundshëm me Iranin.

Negociatat ndërkombëtare në Vjenë lidhur me programin bërthamor të Iranit përfunduan më 3 dhjetor pa sigurimin e ndonjë marrëveshjeje dhe u njoftua se bisedimet do të vazhdojnë javën e ardhshme. /aa