Kreu i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh tha se presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe kryeministri izraelit Naftali Bennett nuk pranojnë asnjë zgjidhje politike përfshirë edhe formimin e shtetit të Palestinës në kufijtë e vitit 1967, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga faqja e internetit të Hamasit thuhet se Haniyeh ka qenë i ftuar në kanalin “A Haber”.
“Biden dhe Bennett nuk pranojnë asnjë zgjidhje politike përfshirë edhe formimin e shtetit të Palestinës në kufijtë e vitit 1967. Ardhja e tyre në detyrë nuk do të ndryshojë shumë në procesin e pushtimit”, tha Haniyeh, i cili shtoi se qeveria e Izraelit vazhdon pushtimin, konfiskimin e territoreve dhe politikën e saj të shkeljes kundër popullit palestinez në Bregun Perëndimor dhe Gaza.
Ai tërhoqi vëmendjen se mes SHBA-së dhe Izraelit ka shumë interesa të përbashkëta dhe se për këtë arsye nuk presin që të ketë ndonjë ndryshim në politikën e SHBA-së për Izraelin.
Në lidhje me marrëveshjet e normalizimit të marrëdhënieve mes Izraelit dhe disa vendeve arabe, Haniyeh bëri me dije se Hamasi e sheh me keqardhje këtë afrim. “Disa vende arabe legjitimitetin e tyre e shohin të lidhur me SHBA-në dhe këto vende mendojnë se rruga që shkon në SHBA kalon përmes Tel Avivit, por kjo nuk është e vërtetë”, tha Haniyeh.
Më tej ai tha se vendosja e marrëdhënieve nga qeveritë e vendeve arabe me Izraelin, nuk nënkupton se popujt e këtyre vendeve e njohin Izraelin ose marrëveshjet e bëra me të.
– Marrëveshjet e normalizimit mes Izraelit dhe disa vendeve arabe
Mes Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahreinit u nënshkruan marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me një ceremoni të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë më 15 shtator 2020.
Gjithashtu edhe qeveria e Khartumit më 23 tetor 2020 mori vendim për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin në këmbim të heqjes së Sudanit nga presidenti i atëhershëm amerikan Donald Turmp nga lista e “vendeve që mbështesin terrorizmin”.
Pas Sudanit, edhe Maroku më 10 dhjetor 2020 arriti marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin. /aa