Krerët më të lartë shtetëror të Maqedonisë së Veriut kanë uruar qytetarët shqiptarë me rastin e 22 nëntorit, Ditës së Alfabetit në Gjuhën Shqipe, e cila shënon mbledhjen e dhjetëra dijetarëve shqiptarë nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, me synimin e përcaktimit të alfabetit të gjuhës shqipe, transmeton Anadolu.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, në mesazhin e saj të urimit të lëshuar nga presidenca tha se 22 nëntori është një datë e rëndësishme historike për shqiptarët, por edhe për shtetin maqedonas.
– “Respektimi i dallimeve gjuhësore na bën një shoqëri demokratike multikulturore”
“116 vjet më parë, në Manastir u unifikua alfabeti i shqipes, akt që forcoi vetëdijen gjuhësore të popullit shqiptar dhe krijoi një themel për përparim të mëtejshëm kulturor dhe qytetërues. Unifikimi i alfabetit të shqipes është jo vetëm një akt reforme gjuhësore, por edhe një simbol i aspiratës për emancipim dhe iluminim”, tha presidentja Siljanovska-Davkova.
Ajo theksoi se gjuha krijon një hapësirë për mirëkuptim, bashkëpunim dhe bashkim rreth vlerave identitare përmes së cilës diversiteti bëhet pasuri dhe e ardhmja bëhet një mundësi për rritje individuale dhe kolektive.
“Gjuha dhe kultura shqiptare janë të ngulitura në strukturën tonë shoqërore dhe japin hapësirë për mirëkuptim dhe bashkëjetesë reciproke. Respektimi i dallimeve gjuhësore na bën një shoqëri demokratike multikulturore”, tha presidentja Siljanovska-Davkova.
Në njoftimin nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, kryeparlamentari Afrim Gashi në urimin e tij tha se në këtë ditë kujtojmë dhe nderojmë këtë moment historik, që siç tha ai, shënon përfundimin e Kongresit të Manastirit dhe mishëron identitetin e popullit shqiptar.
“Si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët janë popull shtet-formues, e vlerësoj këtë festë dhe gjuhën shqipe si gur themel i shoqërisë dhe diversitetit etnik, ndërsa angazhohem për të siguruar që ajo të trajtohet me barazi dhe respekt në çdo nivel të jetës institucionale dhe shoqërore. Ndërkaq, për mua si shqiptar kjo ditë paraqet një thelb të pashkëputur të identitetit tim, që më bën krenar”, tha Gashi në urimin e tij.
– Mickoski: Shkrim-leximi është instrumenti më i fuqishme për transformimin e shoqërisë sonë
Gjithashtu edhe kryeministri Hristijan Mickoski ka uruar qytetarët shqiptarë me rastin e festës së alfabetit.
Përmes rrjeteve sociale, Mickoski tha se kjo ditë na kujton Kongresin në Manastir, të mbajtur në vitin 1908, aty ku “me mençuri dhe unitet, intelektualët morën një vendim që do t’i hapë rrugën gjuhës shqipe në të ardhmen, krijimin e një alfabeti unik dhe të standardizuar”.
“Shkrim-leximi dhe arsimimi nuk janë luks, ato janë të drejta themelore dhe instrumentet më të fuqishme për transformimin e shoqërisë sonë. Rëndësia e tyre nuk mund të matet me numra, por ndikimi i tyre shihet në jetën më të mirë të çdo individi dhe në ecurinë e të gjithë komunitetit”, shkroi ai.
Ai gjithashtu porositi që të investohet në shkrim-lexim dhe të hapen dyert e arsimit për të gjithë.
“Të krijohet një shoqëri në të cilën dija do të jetë monedha më e fortë. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një vend që do të jetë gati për të ardhmen”, theksoi ai.
Në Ditën e Alfabetit Shqip apo “Kongresin e Manastirit”, delegatë të ardhur nga anët e Shqipërisë, si dhe nga shoqata dhe klube shqiptare nga mbarë bota, miratuan vendimin e pranimit të alfabetit latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar në 36 shkronja të gjuhës shqipe.
Për popullin shqiptar, “Kongresi i Manastirit” ishte ngjarja më e rëndësishme në fillim të shekullit 20, ku me rezultatet e tij më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë. Me këtë, 22 nëntori mbetet ditë përkujtimore për popullin shqiptar si “Dita e Alfabetit”.
Kjo datë në Maqedoninë e Veriut shënohet si festë kombëtare nga qytetarët e komunitetit shqiptar dhe është ditë jo pune.