Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri, Isa Mustafa sot kanë bërë shkelje të rëndë të Ligjit mbi Protokollin e Shtetit.
Të tre udhëheqësit më të lartë të vendit e kanë braktisur shtetin pa u konsultuar fare dhe pa u koordinuar paraprakisht, siç e parasheh ligji mbi Protokollin e Shtetit.
Ligjin për protokollin e shtetit parasheh që krerët e shtetit në të njëjtën kohë nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit.
“Protokolli i Shtetit vihet ne dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit”, thuhet në Ligjin për Protokollin e Shtetit.
Presidenti dhe kryeministri ndodhen në Bruksel ku për pak minuta pritet të fillojnë takimin e ndërmjetësuar nga Komisioni Evropian me presidentin dhe kryeministrin e Serbisë.
Në të njëjtën kohë që, kryetari i kuvendit, Kadri Veseli ndodhet në Washington për “Lutjet e mëngjesit”. Përderisa takimi i dy të parëve ishte i aranzhuar nga BE-ja, kryetari i Kuvendit ka thyer protokollin për të marrë pjesë në një aktivitet jo të domosdoshëm dhe krejtësisht ceremonial.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që liderët e shtetit e shkelin protokollin e shtetit.